Kriza në Ukrainë

Kompania e madhe zvicerane ABB tërhiqet plotësisht nga Rusia

Prodhuesi i robotëve industrialë, stacioneve të karikimit për makinat elektrike etj. nuk ka pranuar asnjë porosi të re në Rusi që nga shpërthimi i luftës

Koncerni i madh ndërkombëtar me seli në Zvicër, ABB, do të mbyllet në Rusi, transmeton albinfo.ch. Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe efekteve të sanksioneve, grupi ka vendosur të tërhiqet plotësisht nga ky treg, thuhet në një komunikatë për media nga ABB.

Ky veprim që bën kompania rezulton me një humbje financiare prej 57 milionë dollarësh në tremujorin e dytë, tashmë të përfunduar të vitit 2022, shkruan srf.ch. Nga kjo, 23 milionë dollarë do të reflektohen edhe më tej, në fluksin e parave të tremujorit të tretë, thuhet më tutje në komunikatë.

Sipas deklaratave të veta, prodhuesi i robotëve industrialë, stacioneve të karikimit për makinat elektrike ose zgjidhjeve të automatizimit, nuk ka pranuar asnjë porosi të re në Rusi që nga shpërthimi i luftës.