Kosova

Komandanti i KFOR-it: Sulmi në Ibër-Lepenc ka cenuar situatën e sigurisë

Situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë dhe me potencial të përshkallëzimit, vlerëson komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani.

Ai ka shtuar se sulmi terrorist në Ibër-Lepenc ka cenuar situatën e sigurisë në vend.

“Ka ende punë për të bërë për të siguruar përmbushjen e kushteve të duhura për të mbajtur një mjedis të sigurt, duke përfshirë ato që janë para së gjithash nga natyra politike. Me këtë i referohem në mënyrë eksplicite dialogut Beograd-Prishtinë dhe rëndësisë që ai të ecë përpara. Prandaj, KFOR-i do të vazhdojë të mbajë detyrën e tij për të garantuar sigurinë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë; dhe përmes pranisë dhe aktiviteteve të përditshme në mbarë Kosovën, do të vazhdojë të krijojë hapësirë për dialog politik për të siguruar një zgjidhje afatgjatë të çështjeve të mbetura”, thotë Barduani në intervistën me shkrim për KosovaPress.

Çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, dhe dezinformatat në rajon siç thotë ai, po bëjnë që në Kosovë të ketë potencial të përshkallëzimit.

“Sulmi i fundit në kanalin ujor Ibër-Lepenc nxjerr në pah cenueshmërinë e situatës së sigurisë në Kosovë… KFOR-i do të punojë ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar, në mbështetje të sigurisë lidhur me zgjedhjet e ardhshme, në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse situata e kërkon, NATO ka gjithashtu aftësinë për ta përforcuar menjëherë KFOR-in përmes njësive të ndryshme të forcave rezervë”, tha Barduani.

Ai flet edhe për mundësinë e hapjes së  Urës së Ibrit, për çka thotë se KFOR-i mban një qëndrim transparent dhe konsistent, duke theksuar se çdo vendim duhet të merret përmes dialogut me komunitetin ndërkombëtar.

“Ura e Ibrit është çështje politike dhe jo ushtarake”, thekson komandanti i KFOR-it./Kosovapress