Kosovë

Kjo është toka e shqipeve

 Mbresat e dy zviceranëve, pas vizitës disaditëshe që i bënë Shqipërisë dhe Kosovës

Mendimi se duhet të merrnin një rrugëtim për të njohur më shumë dhe më realisht Shqipërinë dhe Kosovën na kishte ngacmuar të treve. Shumë kishim dëgjuar për botën shqiptare dhe ne ishim më të interesuar ta preknim vetë atë. Shumë kishim parë në televizion, në internet dhe ishte koha për të eksploruar këtë magji.

Rruga drejt aeroportit të Gjenevës u duk sikur u zhduk në kohë, ajo nuk u ndie fare me mendimin se do të fluturonim drejt kësaj aventure.

Aeroplani filloi të përshkonte Alpet e Shqipërisë që ishte pothuajse si Alpet e Zvicrës, me grumbuj malesh të larta e të thepisura, male të rinj që u ekspozuan nga aeroplani si njolla-njolla të kafta me nuanca të gjelbra e hiri. Deti Adriatik, i magjishmi, pjesë e Detit Mesdhe. Ai u shfaq si një e kaltër e bukur.

Përshtypja ishte se bota shqiptare me tiparet e saj tradicionale, me djemtë e vajzat të integruara aq mirë në Europë, gatimi tradicional midis modernes, natyra e bukur sa e virgjër e njerëzit ndryshe sa dhe të njëjtë në Europë, kishte kohë që kishte lënë shenjë në botën intelektuale zvicerane. Shqiptarët në Zvicër dhe kudo në botë ishin integruar për një periudhë jo të gjatë. Kjo e bënte Shqipërinë aq misterioze sa dhe të dëshirueshme si diçka e re, diçka e vjetër, diçka impresionuese dhe si diçka e papërsëritshme, që duhej provuar.

Bota shqiptare po bëhet shumë turistike për zviceranët, ndeshem me fjalët e zotëriut Binz.

Kjo e bënte të padurueshme mbërritjen.

Gjëja e parë kur zbritëm në Aeroportin e Rinasit, një aeroport relativisht i vogël po funksional që gumëzhinte nga vajtje ardhjet, ishte ambient i ngrohtë i njerëzve. Dukej sikur me panoramën “Welcome to Tirana” komunikimi bëhej nga shoqëror në vëllazëror. E ndieja veten sikur isha në shtëpi, thotë zotëriu Binz. Ashtu shkujdesur dhe të thjeshtë ata ishin një turmë e gjitha, që merreshin vesh me njëri tjetrin si me sy.

Ambient i bukur, por që do një dorë për t’u sistemuar

Panorama nuk krahasohej me Zvicrën për nga ambienti, por për nga natyra ajo dukej po njësoj, veçse donte një dorë për t’u sistemuar. Kishim zbritur në Tiranë. Në kryeqytetin e Shqipërisë. Të gjitha paragjykimet e shumta që përfliteshin, krahas reklamës mbresëlënëse të botës shqiptare, u thërrmuan aty në Rinas me dashurinë që të ofronin njerëzit për shërbimet e momentit.

Rruga për në qendrën e Tiranës ishte problematike, trafiku ishte i dendur, ku çdo veturë pleksej dhe ecte në një vargan me rregulla dhe pa rregulla, të qarkullimit rrugor. Derisa arritëm në hotel u desh një orë e mirë në këtë trafik si xhungël ku të gjithë dukeshin sikur kishin të drejtë.

Tirana shfaqet si një qytet po me ndryshime të shumta. Shumë ndërtime, shumë kulla të larta, trafik, zhurmë e dukej si diçka e kokolepsur që funksiononte mirë duke mos funksionuar ashtu si duhet.

Të nesërmen, në shoqërimin e ngrohtë të familjes Lushi, të cilët kishin një mikpritje shumë të ngrohtë dhe që na bëri shumë përshtypje, vizituam pak Tiranën dhe u vendosëm në Kalanë e Tiranës. Në ndryshim me masat sa kujdesin që ka Zvicra për Kovidin , Tirana dukej e zhurmshme, e mbipopulluar me të rinj, me kalimtarë dhe me bar –restorante plot.

Kalaja e Tiranës, dikur pronë e fisit Toptani, kishte gjithashtu plot lokale të bukura dhe shumë të rinj. Dukeshin sikur të gjithë nuk punonin nga mënyra si turma-turma njerëzit shkëmbeheshin në qendër e shikoje vetëm të rinj.

Ngjitur me kalanë po ndërtoheshin disa kulla të tjera. Një qendër moderne që linte përshtypjen e bashkëkohores. Por interesimi ynë i shkujdesur pas një kafeje mëngjesore aty ishte Durrësi. Plazhi i Durrësit, megjithëse nuk ishte sezoni.

Efekti “çudibërës” i bregdetit

A nuk duhej të vizitohej ky plazh edhe pa sezon?

Mos ishte po aq bukur, aq këndshëm?

Kjo mezi na mbante në vend e pas disa orësh ishim pikërisht aty ku donim.

Rruga për në Durrës nga Tirana dukej përsëri si kalvar i gjatë përpjekjesh të shoferit në trafik deri sa mbërrijmë tek një hotel i quajtur “Adriatik 2”. Ishte një hotel shumë i këndshëm buzë detit, plot ndjesi dhe aromë jodi, e cila përplasej në fytyrat tona e dukej sikur na ftonte edhe tani të laheshim.

Dukej si e pabesueshme po lodhja jonë me eshtrat pothuajse të dërmuara nga rruga pushuan aq mirë në këtë hotel, sa u habitëm nga ky lloj komoditeti natyror që më shumë vinte nga përplasja e dallgëve në veshin tonë. Trupi, mendja, syri dhe veshët ranë në qetësi më në fund deri në relaks. Qetësia gjithashtu e shtonte këtë relaks e kur shikoje nga dritarja, kjo të shtonte dëshirën të eksploroje të nesërmen me qejf.

Pronari i hotelit, Iliri, kishte kujdesin maksimal për komforin tonë. Ai blinte peshq të freskët, të egër dhe shumë të shijshëm me fruta deti nga peshkatarët, në mëngjes.

Gatimi ishte fantastik, dhe i përzier me perime të freskëta na u duk aq i shijshëm dhe aq ndryshe nga ai në Zvicër.

Dinte të shërbente, i kujdesshëm, gjentil, i miredukuar sa serioz dhe i veshur, po kështu i jepte edhe ai shije hotelit.

Aty qëndruam 4 ditë, ku bënim dhe ecje të gjata në shëtitore dhe në bregdetin e Adriatikut. Streset iknin me magji, natyra ishte e këndshme dhe e veçanta ishte ushqimi që kishte shumëllojshmërinë e mishit, peshkut, perimeve. Një gotë raki tradicionale apo verë e kuqe ose e bardhë ia shtonte shijen momentit që e përjetonim.

Pas katër ditësh, itinerari ynë i ngushtë në kohë kalonte për në qytetin e Beratit.

@pixabay

Në qytetin e “1001 dritareve”

Në Google ai rreshtohet si një nga qytetet antike më të zhvilluar të kohës. Kalaja e Beratit, qytetit të “1 mijë e një dritareve”, ishte bërë aq e famshme në bisedat tona sa rrezik na dukej vetja me përkrenare nëpër kalldrëmet duke vëzhguar dritaret dhe njerëzit.

Berati na shfaqet bukur, me një lumë të rrëmbyeshëm që quhet Osum, një urë të gjatë dhe një shëtitore të zgjatur ku nga poshtë sipër shfaqej një qytet që sikur të vëzhgonte me sy nga dritaret. Shtëpitë e tipit oriental të mesjetës ia shtonin shumë bukurinë. Më lart, Kalaja.

Nga kalldrëmi në kalldrëm, Kalaja dukej shumë e veçantë e kur mbërritëm aty nga poshtë dukej sikur e kishe pushtuar tërë Beratin. Nuk ishte e vështirë të kuptoje se pse kjo kala kishte aq shumë referenca në histori e turizëm, pse shikoje nga poshtë si mbret Ilir dhe se pse malet sikur bëheshin aq të afërta në sy. Kishte dyqane me suvenire, piktorë që pikturonin atë moment. Arif Lushi, shoqëruesi ynë i guidës, fliste për historinë e hershme të Beratit që na befasoi aq këndshëm. Megjithatë koha ishte e pakët për ta eksploruar në brendësi dhe imtësi sa dëshira ishte të ktheheshim përsëri një herë tjetër e ta përpinim me sy e mendje.

Në ulje e sipër mendojmë se duhet të shkojmë në anën tjetër të kufirit, udhëtimi ynë duhet të kalonte në anën tjetër të kombit të ndarë, në anën tjetër të shqiptarëve, anën tjetër të një bukurie të pashembullt sipas fotove dhe rrëfimeve.

Në Kosovë.

E pse një komb i njëjtë me tradita e zakone, dikur i bashkuar, sot i ndarë?!

Kjo na bëri përshtypje në rrugëtimin tonë në autorrugën që quhej ndryshe si “Rruga e Kombit”, e cila bashkonte një komb po të njëjtë. Mbas disa shpjegimeve u munduam ta kuptojmë këtë, por ende e komplikuar thotë Magali, e me sa e kam kuptuar ëndrra e çdo shqiptari është që të bëhet një Shqipëri e bashkuar.

Në Kalanë e Prizrenit, ku vetja të duket si perandor

Fill pas kufirit ngrihej një rrafshnaltë që sikur e përmirësonte disi imazhin. Po drejtoheshim për në Prizren. Një nga qytetet më të rëndësishme dikur të gjithë botës shqiptare. Një vend ku përshtypja do të arrinte maksimumin.

Qyteti historik i Prizrenit shfaqet dhe na shoqëron me lumin Lumbardh.

Gjysma e qytetit ka pamje tjetër kurse gjysma e qytetit për nga mali deri në kalanë e Prizrenit të lë përshtypjen si të Beratit. Qyteti i ngjitet malit deri në kala me rrugica të shumta po duke ndjekur lumin arrin në qendër të qytetit, në një panoramë të gurtë të përzier me dru dhe me njerëz po aq të ngrohtë sa vështrimet e tyre kurioze. Ato sikur e ngrohnin edhe vetë arkitekturën karakteristike të gurtë.

Nga ana tjetër, rruga bëri të sajën, ne kishim uri, si për të ngrënë dhe për të provuar ushqimet tradicionale që këtu sikur vërshonin po si Lumbardhi.

Aty ndihej tradicionalja, shërbimi modern i kamerierëve, qebapët e ngrohtë që na e bënë syrin e mendjen të hapur, aromat e këndshme, vera tradicionale shqiptare, tavolinat e ambienti i bollshëm sa çdo gjë vinte e shijshme. Kjo bëri përshtypje sidomos për respektin njerëzor që treguan për ne. Njerëzia e fisnikëria aty dukej po aq popullore sa ato fjalët e shumta që kishim dëgjuar kudo në Zvicër.

Tipike për Prizrenin ishte se ambienti zhurmohej dhe arkitektura anonte nga mesjetarja, me objekte të shumta të kulteve fetare si trashëgimi kulturore. Natyra i kishte shtuar një vello kësaj tipike që e vumë re porsa lindi dita tjetër në hotelin Prizreni, ku ishim akomoduar.

Në mëngjes në ecejaket tona të shkujdesura arritën te Kalaja, ku panorama ishte e magjishme. Aty edhe Napoleonit do t’i ishte dukur vetja Perandor që në fëmijëri.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit dhe zgjidhja e dilemës për kombin shqiptar

Më pas zbritëm e shkuam te shtëpia e famshme ku ishte bërë kuvendi, Lidhja i Prizrenit, nga ku mund të kuptoje edhe dilemën tonë për një komb shqiptar.

Shumë luftëra e shumë përpjekje kishte hasur ky popull i drejtë e luftarak që në antikitet. Armiqtë e shumtë nuk e donin një komb të fuqishëm se kishin frikë mos lëkundnin interesat e tyre meskine.

Të nesërmen ishim të interesuar të shikonim tregun e Prizrenit. Ky treg dokumentohej sipas shumë burimeve historike që shumë herët e sidomos në kohën e Perandorisë Osmane ku prizrenasit ishin të famshëm në shumë fusha në tregti, por sidomos në përpunimin e arit. Në dyqanet që pamë kjo traditë vazhdonte sidomos në filigran ari.

Përshtypje që linte mëngjesi në Prizren ishte ajri i freskët, qyteti i pastër, njerëzit e rregullt, oshtima i lumit dhe dëshira për të parë malet e bukura që e lezetonin kafen e mëngjesit. Për fat të keq koha fluturonte shpejt.

Pas një eksplorimi të urave të bukura me kurriz dhe ndonjë shtëpie tradicionale për punimin e drurit, hasëm në restorantin “Ambienti”, një restorant i ngrohtë, me ushqim shumë të shijshëm. Pamja ta ndalonte frymëmarrjen sepse e kishim Prizrenin mu në pëllëmbë të dorës. Aty na priti me shumë fisnikëri pronari i lokalit Krenar Krajku. Ishte vend familjar dhe kuzhina e larmishme me atë tipike tradicionale. Provuam tavën e Prizrenit, e prezantuar në një pjatë qelqi, vërtet më ka mbetur në mendje ai vend, thotë Micheli.

Nën shoqërimin e Lumbardhit, qyteti u zhduk përsëri siç erdhi te ne magjishëm bashkë me qytetin dhe aromën e tij.

Shqiptarët me kulturën e tyre të veçantë kishin lënë ndikim tek ne. Kjo nuk do të ishte kurrsesi hera e fundit, ky ishte vetëm një fillim i njohjes së kulturës së pafundme shqiptare.

Kjo na vinte ndër mend jo vetëm kur aeroplani u ngrit sipër maleve, por edhe kur zbritëm në Zvicër.

Ishim në një mendje: të vinim përsëri.

Sepse ai vend që quhet botë shqiptare të thithë si me magji.

Magjia që qëndron tek e thjeshta, e bukura dhe unikja.

E pashembullta ngrohtësi shqiptare krahas detit, diellit dhe buzëqeshjes së njerëzve.

Ajo ishte toka e shqipeve!

Zamira Bytyqi