Shqipëria

Kjo është data kur do të hapen plazhet në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se të gjitha aktivitet do të lejohen prej 1 qershorit, duke zbatuar në mënyrë strikte masat dhe protokollet e sigurisë.

Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, Manastirliu ka deklaruar se prej datës 1 qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dyjavor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

“Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, sipas vendimit të Komitetit Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 qershor:

-Lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në gjithë territorin, pa kufizim. Do të hapen çerdhet dhe kopshtet, duke zbatuar protokollet e sigurisë së miratuar.

-Do të hapen kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin dyjavor, si një masë e që po ndiqet edhe në vendet evropiane dhe vendet e rajonit. Masa e vendosjes së karantinës dyjavore do të mbetet në fuqi, për raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC”, tha Manastriliu para gazetarëve.

Duke bërë të ditur se edhe plazhet do të hapen prej 1 qershorit, Manastirliu theksoi se kush nuk zbaton procedurat e publikuara, do të penalizohet.