Lajme

Kjo është arsyeja e kaosit të valixheve në aeroportin e Cyrihut

"Tani pasojat e dy viteve të pandemisë, në të cilën lëmi i aviacionit u shty në prag të kolapsit, po bëhen të dukshme", thotë kreu i Swissport-it

Kreu i Swissport-it, ndërmarrjes që merret me shërbimet “tokësore” brenda aeroportit të Cyrihut ka fajësuar qeveritë në Evropë për kaosin e bagazheve në aeroporte, transmeton albinfo.ch. Warwick Brady ka thënë në një intervistë se politika ka bërë që sektori i fluturimeve pothuajse të zhdukej gjatë pandemisë, si pasojë e kufizimeve të udhëtimit.

“Qeveritë janë fajtore në radhë të parë për shkencën e tyre politike të shpikur”, është shprehur Brady për gazetën “Schweiz am Wochenende”.

Pandemia ka qenë e tmerrshme, por nuk ka pasur prova shkencore që kufizimet e pakoordinuara midis vendeve të kenë ndaluar ndjeshëm përhapjen e Covidit. Përhapja e mutacioneve të reja të virusit është vonuar “me vetëm disa javë”.

Tani pasojat e dy vjetëve të pandemisë, në të cilën lëmi i aviacionit u shty në prag të kolapsit, po bëhen të dukshme, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch. Kërkesa për udhëtime po rritet me shpejtësi.

“Por, pas shkurtimeve masive të vendeve të punës që ishin absolutisht të nevojshme në atë kohë, tani ka mungesë të stafit kudo”.