Shkurt.ch

Kishat, kundër ashpërsimit të ligjit për azilin

“Masat e marra janë jo vetëm çnjerëzore por ato shkelin edhe traditën humanitare tëZvicrës”, thonë kishat e Zvicrës

Katër bashkësitë e mëdha fetare të Zvicrës ndjehen të indinjuara me ashpërsimin më të ri të Ligjit mbi Azilin. Ato e kanë quajtur “vendim çnjerëzor” atë që përcakton se azilkërkuesit duhet të jetojnë me 6 deri 10 franga në ditë. Për këtë arsye bashkësitë në fjalë kanë vendosur të bëhen më të zëshme.

Abati i Kishës katolike martin Werlen, në një prononcim për gazetën “Sonntag” e ka quajtur vendim të turpshëm heqjen e ndihmës sociale për azilkërkuesit. Ndërsa Felix Gmur, ipeshkvi i Kishës Katolike nga Bazeli u ka tërhequr vërejtjen politikanëve se po ndjellin frikë. Ipeshkvi kristkatolik Harald Rein ka thënë: “Masat e marra janë jo vetëm çnjerëzore por ato shkelin edhe traditën humanitare tëZvicrës”.

Me ton të ngjashëm ka folur edhe Herbert Winter, kryetar i bashkësisë izraelite të Zvicrës (SIG). Sipas tij “masat e reja bien ndesh me traditën e gjatë të Zvicrës për të trajtuar refugjatët me dinjitet njerëzor”. Ndërsa Bashkësia e Kishave Evangjeliste (SEK) shpreson që Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës të korrigjojë vendimin e Dhomës Nacionale në të mirë të një ligji të azilit, të denjë për njeriun”.