Lajme

Kina, shteti i parë që emëron ambasador në Afganistan

Që kur talibanët morën pushtetin, Kina është bërë shteti i parë në botë që zyrtarisht ka emëruar ambasadorin e saj të ri në Afganistan.

Talibanët ende nuk janë njohur zyrtarisht nga asnjë qeveri e huaj dhe Pekini nuk tregoi nëse emërimi i ambasadorit sinjalizon hapa drejt njohjes formale të talibanëve, shkruan Reuters, përcjell albinfo.ch.

“Ky është një rotacion normal i ambasadorit të Kinës në Afganistan dhe synon të vazhdojë avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe Afganistanit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në administratën talibane ka thënë se i dërguari i ri, Zhao Xing, është ambasadori i parë që ndonjë shtet ka dërguar në Afganistan, që kur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, pasi forcat ndërkombëtare u tërhoqën nga shteti pas 20 vjetësh.