Lajme

KiE miraton rezolutën për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë

Rezoluta e miratuar për mbrojtjen e dëshmitarëve i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të marrin seriozisht mbrojtjen e dëshmitarëve

 

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës ka miratuar sot edhe tre rezoluta të ndryshme për ish republikat jugosllave, pas rezolutës që miratoi dje të Dick Marty-it. Me njërën rezolutë, Këshilli kërkon që të mbrohen dëshmitarët, më një tjetër që të bashkëpunohet me Tribunalin e Hagës, ndërkohë që rezoluta e tretë bën thirrje për pajtim dhe dialog mes etniteteve në territorin e ish Jugosllavisë.

Të tri rezolutat janë miratuar në bazë të raporteve të raportuesve të KiE. Njëra nga to është bërë në bazë të raportit të parlamentarit Jean Charles Gardetto, i cili ka vlerësuar se Kosova qëndron më keq në rajon sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve.

Rezoluta e miratuar për mbrojtjen e dëshmitarëve u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të marrin seriozisht mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të krijojnë bazën ligjore për një gjë të tillë. Rezoluta i bën thirrje edhe EULEX-it që të ndihmojë Kosovën në këtë çështje dhe të vazhdojë programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Thirrje për përmirësim të sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve edhe shteteve tjera të ish Jugosllavisë ndërkaq që kërkon nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës që të pranojnë dëshmitarë në vendet e tyre, posaçërisht ata nga Kosova.