Tematike

Këto janë masat e zbutjes që ka marrë sot Këshilli Federal i Zvicrës

Situata epidemiologjike është akoma e brishtë dhe është përkeqësuar më tej në javët e fundit, por marrja përsipër e rrezikut të një hapjeje të lehtë, është e pranueshme, vë në dukje Këshilli Federal

Këshilli Federal “ka zbutur zemrën”, pavarësisht situatës ende të brishtë të pandemisë: tarracat e restoranteve lejohen të hapen nga 19 prilli. Aktivitetet sportive, kinematë, teatrot dhe koncertet do të jenë përsëri të qasshme, ndonëse në një masë të kufizuar.

Por, në varësi të zhvillimeve epidemiologjike, këto masa të zbutjes duhet të kthehen mbrapsht, paralajmëron qeveria.

Në vazhdim, po japim hollësitë e vendimit të sotëm për zbutjen e masave:

Tarracat e restoranteve: Nga e hëna, 19 prill, mysafirët do të mund të ulen sërish në tarracat e restoranteve. Vendi për ulje është i detyrueshëm ndërsa maska mund të hiqet vetëm gjatë konsumimit të ushqimit dhe pijeve. Në tryezë lejohen maksimalisht katër persona, transmeton albinfo.ch. Të dhënat e kontaktit duhet të mblidhen nga të gjithë personat.

Midis tavolinave duhet të sigurohet distanca prej 1.5 metri  ose duhet të instalohet një pengesë mes tyre.

Diskot dhe sallat e vallëzimit vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Për shkak se shumë restorante nuk janë ende në gjendje të mbulojnë kostot e tyre me këtë rregullore, mbështetja ekonomike për sektorin e restoranteve, sipas Këshillit Federal, do të vazhdojë si më parë.

Aktivitetet publike: Aktivitetet me audiencë bëhen sërish të mundshme por me kufizime – jashtë, me 100 persona, brenda, me 50 persona. Kjo vlen për stadiumet sportive, kinematë ose teatrot dhe sallat e koncerteve.

Aktivitetet kulturore dhe sportive në ambiente të brendshme lejohen përsëri, ashtu si dhe gara të caktuara. Por ekziston një kufizim: Nuk guxon të zihet më shumë se një e treta e kapacitetit të vendit të aktivitetit si dhe ekziston detyrimi për të pasur një vend uljeje dhe detyrimi për maskë. Po ashtu duhet siguruar  distanca prej 1.5 metri dhe ndalimi i konsumit, përcjell albinfo.ch. Nuk ka pauza.

Sporti dhe kultura për të rriturit: Kriteret për ushtrimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore tani janë zbutur edhe për të rriturit në sektorin amator, për individët ose për grupet deri në 15 persona. Në këto kushte, lejohen gjithashtu edhe garat. Nëse ato zhvillohen jashtë, ose duhet mbajtur maska ose duhet të sigurohet distanca e kërkuar prej 1.5 metrash.

Në përgjithësi, në ambiente të mbyllura funksionon kriteri i detyrimit për vënie të maskës dhe ai i mbajtjes së distancës. Përjashtimet janë të mundshme për trajnimin e kondicionit në qendrat e fitnesit ose gjatë këndimit në kor.

Universitetet: Mësimi me praninë fizike të studentëve, përveç në shkollën fillore dhe atë të mesme, tani do të jetë i mundur në, një masë të kufizuar, edhe në universitete dhe në arsimin e të rriturve. Ekziston kufizimi për maksimumin prej 50 personash dhe kufizimi tjetër, i shfrytëzimit të kapacitetit prej një të tretës së sallës si dhe, detyrimi për maskë dhe distancë.

Rezervat: Situata epidemiologjike është akoma e brishtë dhe është përkeqësuar më tej në javët e fundit, por marrja përsipër e rrezikut të një hapjeje të lehtë, është e pranueshme, vë në dukje Këshilli Federal. Për të gjitha aktivitetet që lejohen përsëri, mbajtja e maskës dhe mbajtja e distancës janë të mundshme dhe, me disa përjashtime, gjithashtu të detyrueshme, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, mbulimi i vaksinimit të grupeve të rrezikut po përparon mirë dhe testimi po zgjerohet vazhdimisht.

Rreziku i llogaritur: Këshilli Federal është i vetëdijshëm për rrezikun, deklaron qeveria e shtetit dhe thekson se nga rritja e numrit të shtrimeve në spital, mund të preken gjithnjë e më shumë të rinj. Në varësi të zhvillimit të gjendjes në spitale, ekziston rreziku që të kthehen sërish kufizimet.

Këshilli Federal i bën thirrje popullatës që të vazhdojë të sillet me kujdes, transmeton albinfo.ch. Kjo ka të bëjë veçanërisht personat në rrezik që do të vaksinuohen plotësisht në javët e ardhshme dhe kështu do të jenë të mbrojtur mirë nga infeksioni dhe një rrjedhë e rëndë e sëmundjes.