Shqipëria

Këto janë vendimet e UNESCO-s për Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Nju Delhi në Indi, deklaroi sot vendimet për autoritetet shqiptare për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën.

UNESCO thotë me këtë rast se Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Disa prej vendimeve janë këto:

– Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.

– UNESCO kërkon që Shqipëria të vazhdojë të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore detaje të projekteve që mund të prekin Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Butrintit (VJU) përpara se të merret ndonjë vendim i pakthyeshëm për zbatimin e tyre, dhe që projektet të zbatohen vetëm pasi të ketë rënë dakord UNESCO.

– Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore. /Albinfo.ch