Kosova

Dy shtetet, të cilat po e bllokojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Franca dhe Holanda, së bashku me shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këshilli i Bashkimit Evropian ende e ka në duar vendimin për heqjen e vizave për Kosovën, ku për këtë temë është biseduar nga viti 2018, kanë shpjeguar nga Brukseli për “Tanjug”, shkruan lajmi.net.

Në mënyrë që Kosova ta fitojë lëvizjen e lirë në zonën Shengen duhet ta ketë mbështetjen e shumicës në Këshillin e BE-së, më tepër se 55 për qind nga më së paku 65 për qind të anëtarëve.

Është raportuar se Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme- LIBE, gjatë takimit në Bruksel ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Votimi i ri në LIBE dhe raporti nga Tanja Fajon, raportuese e Parlamentit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është vetëm dëshmi për mbështetjen ekzistuese që Parlamenti Evropian ka ofruar në disa raste, gjatë 2018 dhe 2019 për kërkesat e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën.

Edhe pas rekomandimit nga Komisioni Evropian dhe mbështetja e Parlamentit Evropian, shtetet anëtare të BE-së ende nuk kanë arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Në Komisionin Evropian kanë thënë për Tanjug se “nuk ka risi në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën” dhe përkujtojnë se vendimi final për këtë është tek shtetet anëtare të BE-së, përcjell albinfo.ch.