Tematike

Këto janë 3 iniciativat për të cilat votojnë zviceranët sot

Sot, zviceranët me te drejtë vote do të votojnë pro ose kundër tri iniciativave në nivel nacional: "Për një AHV të fortë"; "Për ekonominë e gjelbër" dhe "Ligji mbi Shërbimin Informativ"

Sot, zviceranët me te drejtë vote do të votojnë pro ose kundër tri iniciativave në nivel nacional. E para, më e përfolura është iniciativa “AHVplus: Për një AHV të fortë”. (AHV domethënë: Sigurimi i moshës (pleqërisë) dhe i trashëgimtarëve.v.j.).  Pastaj vijnë edhe “Për ekonominë e gjelbër” dhe “Ligji mbi Shërbimin Informativ”

  • “AHVplus: Për një AHV të fortë”

E iniciuar nga Federata e Sindikatave të Zvicrës, kjo iniciativë kërkon që pensionet e AHV të rriten në shkallë paushallë prej 10 për qind.

Me këtë ndryshim AHV-ja ose shtylla e parë në sistemin e sigurimit do të fitonte më shumë në peshë. Ngritja e shumës (10%-shi) do të paguhej si shtesë në të gjitha pensionet e pleqërisë, nga viti 2018 e tutje.

Iniciatorët dhe mbështetësit e argumentojnë kërkesën e tyre me faktin se pensionet po mbeten mbrapa pagave, ose nuk po ngrihen në përpjesëtim me to. Ndërsa me ngritjen paushalle prej 10% të gjithë qytetarët e pensionuar do të realizonin atë që është e garantuar me kushtetutë: që të mund të vazhdojnë me nivelin e jetesës me të cilin janë mësuar para pensionimit.

Ndërsa kundërshtarët argumentojnë qëndrimin e tyre me rrezikun nga ngritja e kostos, që sjell me vete votimi i kësaj iniciative.

Si Qeveria Federale ashtu dhe të dy dhomat e Parlamentit rekomandojnë kundërshtimin e kësaj iniciative.

Pro iniciativës: SP/PS, JUSO, të Gjelbrit dhe të Rinjtë e Gjelbër

Kundër: CVP/PDC, SVP/UDC, FDP/PLR, BDP EVP EDU GLP JCVP JEVP JSVP jf

 

  • Për “Ekonominë e Gjelbër”

Iniciativa e dytë “Ekonomia e gjelbër” kërkon që Zvicra ta ulë ngarkimin që i bëhet ambientit në një masë të pranueshme globale. Në rast se do të votohet në favor, do të duhet që Zvicra deri në vitin 2050 të reduktojë në masë të madhe ngarkesën në fjalë.

Kjo iniciativë siç mund të merret me mend, rrjedh nga të Gjelbrit dhe synon zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe eficiente sa u përket burimeve pastaj që zhvillimi i ekonomisë të mos e dëmtojë potencialin e burimeve natyrore.

Argumentet e mbështetësve:  Modernizimi i mbrojtjes së ambientit dhe krijimi i një ekonomie që të ketë të ardhme. Me votimin e iniciativës, Zvicra do ta meritojë rolin e saj të prijëses në fushë të mbrojtjes së ambientit.

Argumentet e kundërshtarëve: Përmes shtimit të kërkesave të reja, ekonomia do të ketë pengesa në konkurrueshmëri. Pastaj do të ketë ngritje të çmimeve si pasojë e shpenzimeve plotësuese që do të bëheshin në favor të ruajtjes së ambientit.

Si Qeveria Federale ashtu dhe të dy dhomat e Parlamentit rekomandojnë kundërshtimin e kësaj iniciative.

Pro: Të Gjelbrit, GLP; Të Rinjtë e Gjelbër, JUSO, EVP, JEVP

Kundër: SVP/UDC, FDP/PLR, CVP/PDC, BDP EDU JCVP JSVP jf

 

  • Ligji i ri i Shërbimit Informativ

Ndërsa iniciativa e tretë në nivel vendi, ajo për Ligjin e ri të Shërbimit Informativ Federal (NDB) do t`i jepte NDB-së më shumë kompetenca. Veç tjerash shërbimi në fjalë do të fitonte të drejta që në mënyrë më të lehtë, me më pak formalitete, në raste të caktuara të përgjojë bisedat telefonike, të vendosë mjete përgjuese në hapësira private si dhe të depërtojë edhe në kompjuterë. Me fjalë tjera të përdorë metodat e përmendura pa pasur nevojë që, sikur është e rregulluar tash, që të kërkojë lejen e posaçme të Gjykatës Administrative Federale.

Ligji ishte miratuar me shumicë të madhe në parlament  në shtator të vitit 2015. Ndera iniciativa që votohet sot kërkon kundërshtimin e këtij ligji.

Argumentet e mbështetësve të ligjit të ri: Me këtë ligj Zvicra fiton mjetin për mbrojtje më efikase nga kërcënimet moderne. Vetëm në këtë mënyrë NDB do të mund të përmbushë me efikasitet rolin e vet.

Argumentet e kundërshtarëve (komiteti për referendum):  Ligji i ri përbën një ndërhyrje të madhe në sferën private të individëve. Veç kësaj, ata e kritikojnë ligjin e ri për transparencë të ulët dhe konsiderojnë se kompetencat që deri tash i kanë pasur policitë kantonale dhe Prokuroria Federale, kanë qenë të mjaftueshme.

Si Qeveria Federale ashtu dhe të dy dhomat e Parlamentit rekomandojnë miratimin e ligjit të votuar në parlament gjegjësisht kundërshtimin e kësaj iniciative.

Pro (ligjit): FDP/PLR, CVP/PDC, EVP, SVP/UDC, EDU, BDP

Kundër: SP/PS, Të Gjelbrit, AL, Piratët, PDA

 

Sipas praktikës së njohur tashmë, shumica e madhe e tyre kanë votuar përmes postës, ndërsa sot, deri në orën 12 hapen vendvotimet në qendra të ndryshme për ata që për arsye të ndryshme, nuk e kanë shfrytëzuar ende të drejtën e votës.