Fotolajmi

Këtë vit, 272 mijë refugjatë erdhën në Gjermani

Ministria e Brendshme e Gjermanisë njoftoi se në periudhën prej janarit deri në shtator të këtij viti vendi ka regjistruar 272.185 refugjatë.

Siç njoftojnë mediat nga Berlini, numri i refugjatëve të regjistruar në shtator ka qenë 15.618, që është në trend me mbylljen e “rrugës së refugjatëve në Ballkan”, shkruan albinfo.ch.

Sipas ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, numri i refugjatëve është reduktuar rishtazi, por është ende i lartë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, vitin e kaluar erdhën në vend rreth 890 mijë njerëz, edhe pse deri në fillim të shtatorit numri zyrtar i kërkesave për azil ishte rreth 1.1 milionë njerëz.

Një nga dobësitë e sistemit për regjistrimin e refugjatëve në Gjermani është se ata mund të aplikojnë në disa qytete të ndryshme, ndërsa autoritetet me vështirësi përcaktojnë numrin e saktë të refugjatëve.
Një tjetër pengesë për të siguruar numrin e saktë të refugjatëve është se shumë prej tyre janë paraqitur në Gjermani dhe në vende të tjera, si në Danimarkë dhe Suedi.