Shkurt.ch

Këtë verë, Zvicra i bën 8 milionë banorë

Shumë shpejt, gjatë kësaj vere, Zvicra do të ketë edhe banorin e saj të tetëmiliontë. Kështu bëjnë të ditur në Entin federal për statistikë në një njoftim të publikuar sot.

Tetë milionë banorë, sa pritet t`i ketë së shpejti Zvicra, janë tri herë më shumë se sa i kishte ajo 150 vjet më parë, në vitin 1860. Rritja e madhe e numrit të banorëve i dedikohet në radhë të parë migracionit, ardhjes së madhe të të huajve, gjegjësisht edhe shkallës më të lartë të lindshmërisë që kanë një numër komunitetesh të huaja.

Po ashtu edhe zgjatja e jetës mesatare të qytetarëve të Zvicrës është një ndër faktorët për rritjen e numrit të banorëve.

Më tutje Enti Statistikor njofton se edhe banorët e Zvicrës një kohë kanë emigruar me të madhe jashtë vendit. Kjo periudhë ka qenë sidomos në mes të viteve 1910 dhe 1930. Ndërsa rritjen më të shpejtë popullata e Zvicrës e ka shënuar në mes të vitit 1950 dhe 1970.