Kosova

Këtë muaj priten pagat e dyta nga Pako Emergjente e Qeverisë

Është bërë e ditur se Pako Emergjente e Qeverisë në detyrë parashikon që për bizneset që veprimtaria e tyre është ndikuar nga masat parandaluese ndaj COVID-19, të ketë ndihmë financiare.

Ndërkohë, masa 3 e kësaj Pako parashikon që punëtorët e këtyre bizneseve të ndihmohen me nga 170 euro për dy muaj.

Sipas Ministrisë së Financave, Pako Emergjente bën mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punëtorëve në vlerë prej 170 euro, për pagat e muajit mars dhe prill.

“Në rast se punëdhënësi ka kryer pagat e muajit mars në tërësi, edhe pse me vështirësi financiare, pagesa prej 170 euro për punëtorët do të kreditohet në llogarinë e punëdhënësir si rimbursim i shpenzimeve. Paga e muajit prill do të kreditohet në llogarinë e punëmarrësit”, thuhet në Masën 3 të Pakos Emergjente.

Po ashtu, në masën 3 të Pakos është parashikuar subvencionimi i qirasë deri në 50% të vlerës për mikro-ndërmarrjet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për muajt prill dhe maj. Ndërsa qiramarrësit, të cilët kanë parapaguar qiranë vjetore, nuk mund të përfitojnë nga kjo masë.

Ndërsa ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka prezantuar pakon 1.2 miliardë euro, për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë.

Bislimi gjatë prezantimit të pakos të rimëkëmbjes ekonomike, të cilën e quajti ambicioze, deklaroi se fokusi i saj do të jetë mbështetja me kredi për secilin biznes që përgjatë periudhës së pandemisë ka pasur rënie të aktivitetit ekonomik.