Lajme

Këtë javë mund të shihni Forcat Ajrore të SHBA-së në qiellin e Zvicrës

Forcat Ajrore Zvicerane do të stërviten së bashku me Forcat Ajrore të SHBA-së në Zvicër, nga sot, 18 shtator deri më 21 shtator, shkruan 20min.

Disa prej moduleve të trajnimit do të zhvillohen në hapësirën ajrore zvicerane ku përfshihen skuadriljet zvicerane fluturuese 17 dhe 18, të cilat do të ngrihen nga baza e forcave ajrore në Payerne VD.

Skuadrilja e 510-të luftarake e Forcave Ajrore të SHBA-së ngrihet nga baza ajrore në Aviano, Itali.

Trajnimi zvicerano-amerikan shërben për të testuar së bashku planifikimin, zbatimin dhe informimin e stërvitjeve të mbrojtjes ajrore dhe për të shkëmbyer përvoja. Trajnimi bazohet në Marrëveshjen për Bashkëpunim Dypalësh për Arsimin, Stërvitjen dhe Ushtrimet Ushtarake të prillit 2020, përcjell albinfo.ch.

Në stërvitje marrin pjesë dy avionë luftarakë F/A-18 të Forcave Ajrore të Zvicrës dhe dy avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore të SHBA-së.

Sipas njoftimit, kjo është bërë me qëllimin e Këshillit Federal – sipas raportit shtesë në raportin e politikës së sigurisë nga shtatori 2022 – për të forcuar aftësinë e tij mbrojtëse përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.