Kosova: vota e diasporës
Kështu e sheh diaspora fitoren e Vetëvendosjes
Krahas reaksioneve kryesisht pozitive lidhur me kthesën që ka bërë fitorja e Vetëvendosjes, në disa nga prononcimet për albinfo.ch kemi edhe përqasje interesante mbi këtë temë, duke iu referuar përvojave zvicerane
Rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Kosovë kanë bërë jehonën e tyre të madhe edhe në diasporë. Për më tepër, kthesa e bërë, gjegjësisht fitorja e arritur nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas shumëkujt i atribuohet në një masë të madhe pikërisht diasporës. Lidhur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve, me fokusim në fenomenin “Vetëvendosje”. albinfo.ch ka marrë mendimet e disa aktivistëve politikë, kulturorë e socialë shqiptarë në Zvicër.
Krahas reaksioneve kryesisht pozitive lidhur me kthesën që ka bërë fitorja e Vetëvendosjes, në disa nga prononcimet kemi edhe përqasje interesante mbi këtë temë, duke iu referuar përvojave zvicerane.
Ylfete Fanaj, shefe e Grupit Parlamentar të SP-së në Parlamentin e Kantonit të Lucernit
Është diçka pozitive, një shenjë proteste e popullit duke shpresuar se po vjen një frymë e re në politikën kosovare. Përgjegjësi për Vetëvendosjen dhe një shans i mire për Kosovën nëse Lëvizja Vetëvendosje e zbaton planin ashtu siç e ka premtuar.
Alban Imeri, deputet kantonal i BDP, Thurgau
Sipas mendimit tim, në mes të proceseve politike në Kosovë dhe në Zvicër mund të tërhiqen paralele. Lëvizja Vetëvendose, e konsideruar si ekstreme, arrin që, pa u bashkuar me parti të tjera, një rezultat madhështor. Madje kishte zëra se zgjedhjet me qëllim nuk ishin caktuar të mbahen verës, pasi që shumica e kosovarëve të diasporës sigurisht do të votonin për Vetëvendosjen dhe kështu, suksesi i saj do të dilte edhe më i madh. Zhvillimi i saj ngjan shumë me atë të SVP-së së këtushme, e cila ka kapur temat e saj nga populli, gjegjësisht ato të cilat partitë tjera i kanë injoruar ose i kanë mbuluar. Edhe pse unë nuk jam ithtar i pozicioneve ekstreme, mendoj se popullit do t`i bënte mirë nëse këtë parti do ta ndihmonte për të ngritur një qeveri, pasi që partitë “e vjetra” kanë dështuar të sjellin ndryshime të ndjeshme për njerëzit dhe identifikohen me korrupsion dhe kriminalitet. Por, frika është e madhe edhe në BE, për faktin se në rast se kjo parti do të dojë të zbatojë programin e saj, në Ballkan do të ndodhte destabilizim më i madh. Nga ana tjetër, vendi (Kosova) tash duket se ndodhet para një bllokade. Vetëvendosje nuk do të lidhet me asnjë parti tjetër por çfarë nëse sërish PAN, përkundër pritjeve, lidhet me LDK-në? Kjo situatë vetëm sa do të ndihmonte Vetëvendosjen, pasi që këto parti tashmë e kanë dëshmuar se nuk mund të çojnë pothuajse asgjë përpara në Kosovë. Kosovës në një rast të tillë duket se më së miri do t`i përshtatej një sistem “Bundesrati” zviceran. (Sistem ku në qeveri përfshihen të gjitha partitë e mëdha të përfaqësuara në parlament.
Gjyle-Julie Krasniqi, menaxhere kulture, Lucern
Nëse partitë fituese vërtet e duan Kosovën, kanë mundësi tani ta tregojnë veten. E konstituojnë parlamentin me këto forca politike që janë dhe e fusin sistemin proporcional në qeveri, ngjashëm me Zvicrën duke ruajtur Republikën presidenciale. Mendoj se kjo do të ishte e vetmja mundësi për ta dërguar në vend vullnetin e qytetarëve. Kështu do të detyrohej me ligj kolegjialiteti dhe ndarja e marrja e përgjegjësive. Natyrisht nëse nuk frikësohen nga reduktimi i shumë ministrive në shtatë ministri (siç i ka Zvicra).
Dr. Bashkim Iseni, drejtor i Platformës albinfo.ch, politolog, Lozanë
“Rezultatet e zgjedhjeve shënojnë një ndryshim substancial të realitetit politik në Kosovë, sidomos me shpërthimin në skenë politike të Lëvizjes Vetëvendosja, që de fakto është tani forca politike më e fuqishme në vend. Pas zgjedhjeve në Maqedoni, rezultatet e Kosovës janë po ashtu një indikator se po hapet një kapitull i ri politik, ai i dëshirës për reforma strukturale si dhe evropianizim të mirëfilltë të rajonit”.
“Rezultatet e së dielës treguan qartë së qytetarët e Kosovës nuk duan ta durojnë edhe më tutje një qeverisje të vendit nga grupacione parapolitike.
Me votën e tyre, qytetarët treguan se e duan një Kosovë demokratike dhe jo autokratike, një Kosovë të zhvillimit dhe jo të ngecjes, një Kosovë të barazisë sociale e jo të oligarkisë, një Kosovë ku sundon ligji dhe jo dajët e Prontos, një Kosovë të votës së lirë dhe jo asaj klienteliste, një Kosovë me të cilën mund të mburren në të ardhmen qytetarët e saj e jo ta synojnë migrimin si zgjidhje e vetme, një Kosovë ku qytetarët e saj nga diaspora janë pjesë e Kosovës, e jo vetëm aty për ta mbushur arkën e shtetit. Qytetarët e Kosovës duan një Kosovë e cila fillon t`i bëjë hapat e saj vet, me më pak dominim ndërkombëtar. Kosova me këto zgjedhje tregon se don ta marrë përgjegjësinë për fatin e vet, të vendosë vet.
Po të mënjanohet nga llogaria vota klienteliste, del që pjesa dërmuese e votës së lirë në këto zgjedhje ishte votë për Lëvizjen Vetëvendosje e cila e ka fituar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe shihet ajo forcë e cila mund t`i prijë ndryshimit në vend”, thotë Nevzati për albinfo.ch.
Hamit Zeqiri, ekspert social, kryetar i KOFI
“Dje ishte një ditë e madhe për vendin tonë. Këto ishin më tepër se sa zgjedhje. Votat e shumta për Vetëvendosjen tregojnë se populli ka sens për drejtësi. Me gjithë shfrytëzimiin e krejt makinerisë shtetërore dhe të shumë milionave të vjedhur nuk ia dolën të korruptuarit. Ky është vetëm fillimi i fundit të tyre. Më bën të lumtur shpresa që vendin tonë së shpejti ta udhëheqin njerëz me dinjitet, kompetencë, guxim dhe zemër. Gëzohem që së shpejti nuk do të turpërohemi më për udhëheqjen e vendit tonë. Kosova nga sot do të frymojë ndryshe. Asnjë „matematikë“ edhe trik nuk guxon ta minojë rezultatin e këtij referendumi”, shprehet për albinfo.ch Hamit Zeqiri.
Përparim Avdili, nëpunës banke dhe politikan i FDP-së, Cyrih
Zgjedhjet në Kosovë treguan që partitë tradicionale dhe elita politike e deritanishme nuk është imune ndaj partisë që përpos një pushteti lokal nuk kishte mundësi te tregonte aftësitë e saj për pushtet qendror. Rritja e papritur e votave për VV-në në zgjedhjet e 11 qershorit ka shumë arsye. Në vendet gjemanishtfolëse për rastet si ky i VV-së ekziston fjala «Protestpartei», që nënkupton se qytetari e voton atë parti si shenjë proteste ndaj partive të etabluara, për mungesë alternative. Zhgënjimi për moszgjidhjen e problemeve ditore të qytetareve ka lënë të shpresojë votuesin e VV-së që vetëm një ndryshim, çfarëdo që të jetë ai, mund të sjellë diçka të mirë. VV-ja me vite ka kultivuar frustrimin politik te qytetaret duke sulmuar çdo kë dhe çdo gjë që ndërlidhej me qeveri, falë të cilës dhe tani del si subjekti më i madh politik në Kosovë. Tani po ky subjekt e ka përgjegjësinë që atë frustrim ta shndërrojë në shpresë që të mos bëhet viktimë e vete politikës saj pasi të futet në qeveri.
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?