Integrimi

Këshilltari i karrierës zhvillon aplikacionin në shqip për zgjedhjen e profesionit

Simon Schmid: Prindërit gjithashtu njihen me procesin e zgjedhjes së profesionit në sistemin arsimor zviceran në mbi 12 gjuhë, përfshirë shqipen

Në një botë ku gjithçka po ndryshon me shpejtësi, zgjedhja e karrierës ka gjithashtu një ndikim në revolucionin dixhital. Si ndikon dixhitalizimi në zgjedhjen e profesionit? Simon Schmid, ekspert këshillimi profesional, studimor dhe të karrierës, tregon pikëpamjet e tij lidhur me çështjen.

Albinfo.ch: I nderuar zoti Schmid, çfarë ka ndryshuar në gjetjen e një profesioni nga e kaluara në krahasim me sot? Dhe çfarë nënkuptojnë këto ndryshime për prindërit të cilët, nga ana gjuhësore nuk mund të ndjekin ndryshimin në shkolla?

Simon Schmid: “Zgjedhja e karrierës vjen shumë herët” thonë mjaft njerëz, që me këtë duan të thonë se të rinjtë e kësaj moshe nuk janë ende në gjendje të vendosin për karrierën e tyre apo drejtimin shkollor që do të marrin. Kjo deklaratë mund të jetë e vërtetë për rastet kur të rinjtë i lihen vetvetes dhe marrin shumë pak mbështetje nga prindërit dhe shkollat. Zgjedhja e karrierës (profesionit) sot është një proces tërheqës dhe emocionues në zhvillimin e personalitetit të një fëmije. Zgjedhja e karrierës është një projekt familjar që mbështetet nga shkollat. Përgjegjësia është e prindërve, sepse ata janë çdo ditë shembull për fëmijët e tyre, lidhur me punën e tyre dhe botën e punës, nëse janë të kënaqur dhe në fund janë ata që vendosin për të ardhmen e fëmijës duke nënshkruar kontratën e praktikës. Prandaj është edhe më e rëndësishme që prindërit të pranojnë përgjegjësinë e tyre si partneri më i rëndësishëm në debat dhe të përfshihen në procesin e vendimmarrjes së të rinjve në një fazë të hershme.

Në pamje të parë, sistemi arsimor zviceran mund tu duket i ndërlikuar shumë prindërve me prejardhje migrimi. Por një shqyrtim paksa më i thelluar i tij tregon se ky sistem ofron mundësi të paimagjinuara për të rinjtë dhe prindërit e tyre. Në këtë mënyrë, të rinjtë mund të bëjnë zgjedhjen e tyre të shkollës ose të karrierës sipas prirjeve dhe aftësive aktuale të tyre, pa asnjë presion. Dhe prindërit mund të jenë të sigurt se çdo përfundim trajnimi ofron disa zgjidhje vijuese. Në këtë mënyrë, karriera profesionale mund të realizohet hap pas hapi, sipas motos: “Mësim gjatë gjithë jetës” pa u ekspozuar ndaj presionit të përhershëm për të qenë të suksesshëm. Kjo siguron zhvillim të shëndetshëm të personalitetit.

Unë njoh disa njerëz që kanë filluar në seksionin B ose C (shkallë më e “ulët” e në sistemin shkollor të Zvicrës, v.j.) dhe tani janë pilotë në Swiss ose Helvetic.

Profesioni im i ëndrrave ishte të bëhem shpikës. Kështu, në praktikën time kam bërë riparimin e videoregjistruesve dhe televizorëve për të kuptuar se si funksionojnë pajisjet e teknologjisë së lartë. Falë BMS-së, më vonë munda të studioja filmin dhe punova për televizionin zviceran, ndër të tjera, dhe shpejt u vetëpunësova. Sot jam bashkëpronar i shërbimit të këshillimit të karrierës në Bülach dhe së bashku me ekipin tim kam shpikur mjetin e parë dixhital të mësimit për zgjedhjen e karrierës, në Zvicër. Nuk mund ta imagjinoja kurrë këtë kur isha 14 vjeç. Por unë arrita ta zhvilloja duke punuar gradualisht mbi të.

Është e rëndësishme që prindërit, më së voni nga cikli i lartë i shkollës (klasa 6-9), të njohin dhe të përdorin mjetet mësimore mediale të ofruara për zgjedhjen e parë të karrierës, në mënyrë që zgjedhja e karrierës së fëmijës së tyre të bëhet një projekt i suksesshëm i zgjedhjes së profesionit. Ne kemi mbështetur të rinjtë dhe prindërit e tyre në procesin e zgjedhjes së karrierës për më shumë se 40 vjet. Me mediumin e parë dixhital të mësimit të zgjedhjes së karrierës www.profolio.ch, të rinjtë përfshihen në sfida motivuese në kohën kur ndodhen në procesin e zgjedhjes së karrierës. Prindërit gjithashtu njihen me procesin e zgjedhjes së profesionit në sistemin arsimor zviceran në mbi 12 gjuhë, përfshirë shqipen. Kemi krijuar edhe një video në YouTu  be enkas për prindërit, e cila ka titra në shumë gjuhë: https://www.youtube.com/watch?v=DoRJ2UoH9H8

Leksionet në Profolio.ch

Albinfo.ch: Po sa i përket reputacionit të dosjeve të aplikimit të atyre që nuk kanë mbiemra si Müller apo Meier, por mbiemra të tjerë? A mund të flasim për më shumë mundësi të barabarta dhe një reputacion më të mirë, sot, për nxënësit me prejardhje migrimi, apo gjithçka është njësoj si 20 vjet më parë?

Simon Schmid: Është thelbësore për një aplikim të suksesshëm që të rinjtë të dinë se kush janë, çfarë mund të bëjnë dhe çfarë duan! Në mënyrë që këto tri W (Wer, Was, Was) të prezantohen në mënyrë të besueshme, është thelbësore që të rinjtë të jenë marrë me veten dhe me pikat e tyre të forta si dhe të jenë në gjendje të krahasojnë imazhin e tyre për veten me imazhe të jashtme, si ato të prindërve, mësuesve dhe personave referues jashtëshkollorë si trajneri i futbollit ose gjyshja, për t’i krahasuar në mënyrë kritike dhe për ta përdorur këtë për krijimin e bazës për portretin e tyre të shkurtër. Kjo kërkon angazhim të konsiderueshëm për të punuar në personalitetin e dikujt, gjë që të rinjtë mund ta bëjnë mirë me mbështetjen e duhur nga prindërit dhe mësuesit.

Në Profolio, të rinjtë dhe të gjithë personat e tjerë të përfshirë do të gjejnë impulset, ushtrimet dhe informacionin e nevojshëm. Në hapin e dytë, synimi është që të rinjtë të përfshihen në arsim dhe karrierë në mënyrë më të thelluar. Kushdo që e njeh në një farë mase veten, mund të vendosë një filtër në të gjithë spektrin e gjerë të botës profesionale dhe të zgjedhë ato kurse trajnimi që ai ose ajo do të donte t`i njihte më mirë. Qëllimi është të përputhen prirjet dhe aftësitë e tij me kërkesat e formimit profesional. Sfidat përkatëse në mediumin mësimor të zgjedhjes së karrierës janë të disponueshme për këtë, në mënyrë që W e tretë, “Çfarë dua?” të mos mbetet rastësi.

Në të dy hapat është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë personat e besueshëm të pyeten nga të rinjtë dhe të kontribuojnë me mendimet e tyre në sfidat përkatëse. Kjo u jep të rinjve vetëbesimin e nevojshëm për një aplikim bindës. Atëherë gjithçka që duhet të bëni është të gjeni formatin e duhur si hapës dere. Kjo nuk është patjetër që të jetë gjithmonë me shkrim. Ne rekomandojmë të bëhet një telefonatë paraprakisht ose edhe një vizitë personale, nëse kjo është e mundur. Është e rëndësishme të dalloheni (të bini në sy) në raundin e parë të procesit të aplikimit dhe të dalloheni nga turma. Kjo mund të bëhet po aq lehtë me një video, me faqen tuaj të internetit ose në ndonjë mënyrë tjetër kreative që nuk thekson emrin e shkruar por personalitetin.

Albinfo.ch:  A mund të na tregoni për përvoja pozitive në punën tuaj ku nxënësit kanë gjetur punën e tyre të ëndrrave, edhe pse mund të jetë dukur e vështirë?

Simon Schmid: Si shembull, mund ta sjell rastin e një nxënësi të gjimnazit, i cili donte shumë të studionte mjekësi. Fatkeqësisht, ai dështoi dy herë në provimin pranues (numerus clausus) për studimet e mjekësisë. Kështu që e vetmja rrugë që i mbetej ishte të shkonte në një universitet jashtë vendit. Por shpejt e kuptoi se studimi jashtë vendit nuk i përshtatej dhe kështu donte të kthehej në Cyrih. Më lejuan ta shoqëroja në procesin e gjetjes së alternativës dhe kështu ai vendosi të studionte farmacinë në ETH Cyrih. Sot ai po kryen masterin në Harvard Medical School, në Massachusetts.

Intervistoi: Driter Gjukaj