Lajme

Këshilli Federal, në ekskursion nëpër Zvicrën Qendrore

Presidenti Ueli Maurer është përcaktuar kësaj here  për tre kantone të Zvicrës Qendrore njëherësh, pasi që këto kantone deri tash nuk janë përfaqësuar asnjëherë nga ndonjë ministër në qeverinë e vendit

Në ekskursionin e tij të sivjetëm, Këshilli Federal nën drejtimin e presidentit federalm Ueli Maurer, ka zgjedhur të vizitojë tre kantone të Zvicrës Qendrore përnjëherësh. Ditën e parë të ekskursionit, të enjten, në program ishin Kantoni Schwyz dhe ai Uri.

Është hera e parë që nga viti 1941 që Këshilli Federal viziton Muzeun Federal të letrave. Ekspozita moderne tregon se si konfederata e vjetër është zgjeruar me kalimin e kohës dhe po ashtu sqaron se si janë krijuar mitet lidhur me konfederatën.

Pastaj, pjesëtarët e Këshillit Federal janë pritur nga autoritetet kantonale dhe janë ndalur për një apero me qytetarët në qendër të Schwyz-it. Në vazhdim, mysafirët kanë udhëtuar me anije nëpër Liqenin e Urit për në Flüelen. Pasdite ka qenë pritja nga autoritetet e Urit dhe qytetarët, në Altdorf.

Në programin e ditës së dytë është paraparë takimi me autoritetet e Kantonit Nidwalden dhe me qytetarët, në kryeqendrën e kantonit, në Stans. Qëndrimi i Këshillit Federal në Zvicrën Qndrore do të përfundonte në një fermë malore.

Ekskursionet e Këshillit Federal mbahen zakonisht por jo patjetër, në kantonet ku ka vendlindjen presidenti aktual i qeverisë. Ndërsa presidenti Ueli Maurer është përcaktuar kësaj here  për tre kantone njëherësh, pasi që këto kantone deri tash nuk janë përfaqësuar asnjëherë nga ndonjë ministër në qeverinë e vendit.