Zhvillim

Këshillat e fshatrave në Kosovë raportojnë përmirësim të përfaqësimit të balancuar gjinor

Përpjekjet frymëzuese të Arta Beqës për të shprehur nevojat e grave në fshatin e saj po e ndryshojnë gjendjen e shoqërisë.

Si aktiviste e komunitetit dhe anëtare e këshillit të fshatit Petrovë, Beqa mendon se në ditët e sotme nevojat e grave po adresohen më mirë. Por ajo i referohet pikëpamjeve kulturore të vendit të cilat sipas saj e adresojnë vetë problemin.

“Nga këndvështrimi im, një nga problemet kryesore është mentaliteti lokal që e konsideron mungesën e barazisë gjinore si problem jo aq të rëndësishëm”, thotë ajo.

Përfaqësimi i balancuar gjinor në proceset demokratike dhe vendimmarrëse ka qenë sfide e madhe në Kosovë për një kohë të gjatë.

Si shqetësim i konsiderueshëm kulturor, çështja e përfshirjes së grave shpesh është adresuar nga agjencitë ndërkombëtare, si një standard që duhet arritur drejt përmbushjes së standardeve demokratike të qeverisjes. Përveç kësaj, janë organizuar shumë fushata avokuese vendore dhe ndërkombëtare të cilat janë fokusuar në ngritjen e vetëdijes mbi përfaqësimin e balancuar gjinor në nivel institucional.
Në këtë kontekst, Projekti për Decentralizim dhe Mbështetje Komunale – DEMOS po investon shumë përpjekje në ngritjen e vetëdijes së anëtarëve të këshillave të fshatit dhe në potencimin e rëndësisë së përfshirjes së grave në proceset vendimmarrëse.

Përveç përmirësimit të statistikave të përfaqësimit të grave në më shumë se 250 këshilla të fshatrave, projekti DEMOS po:

  • ofron asistence teknike për pushtetet lokale dhe këshillat e fshatrave në Kosovë drejt ndryshimit të strukturave qeverisëse të bazuara në gjini; dhe,
  • ndihmon dhe inkurajon përfaqësimin e barabartë gjinor, si dhe po fuqizon gratë e Kosovës në nivelin e qeverisjes lokale.

Sipas përfaqësuesve të këshillave të fshatrave, gjendja në terren ka filluar të marrë një formë ndryshe, pasi shifrat tregojnë për një pjesëmarrje të shtuar të grave në vendimmarrje.

Nazlije Gorani, kryetare e këshillit të fshatit në lagjen Haxhi Zeka në komunën e Pejës, thotë se pjesëmarrja më e lartë e grave në këshillin e fshatit të saj ka shtuar përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm në aspekt të marrjes parasysh të nevojave të grave dhe në mobilizimin e grave në tregun e punës.

“Efikasiteti ynë është rritur në raport me adresimin e nevojave elementare të grave dhe çështjeve të tjera të rëndësishme që ndërlidhen me qeverisjen kompetente, por ende duhet të punojmë shumë drejt arritjes së kapaciteteve të kënaqshme dhe burimeve të nevojshme që do të na mundësojnë që të veprojmë në mënyrë më proaktive “, thotë Gorani.

Gorani ka mirëpritur përpjekjet aktuale të projektit DEMOS në këtë fushë. Ajo thekson se ende ka sfida të brendshme socio-kulturore, si stereotipet gjinore, në mesin e komuniteteve lokale, e që duhet të adresohen me seriozitet.

“Jemi duke punuar shumë në drejtim të përfaqësimit më të mirë të grave në organet vendimmarrëse. Këshillat e fshatrave në Kosovë duhet të dalin me ide konkrete për angazhimin e grave në shoqëri”, thotë Gorani, duke  shtuar se shkollat lokale mund të luajnë një rol vendimtar në ngritjen e vetëdijes rreth përfaqësim të balancuar gjinor.

Në këtë drejtim, nevojitet një bashkëpunim më i madh dhe më intensiv mes këshillave të fshatrave në Kosovë, në mënyrë që të adresohen çështjet e barazisë gjinore.

Rrjetëzimi dhe informimi i opinionit do të sensibilizonte në mënyrë të konsiderueshme institucionet e qeverisjes lokale rreth nevojave të komuniteteve në nivel të lagjeve dhe fshatrave.

Këshillat e fshatit veprojnë si qendra joformale ndërlidhëse ndërmjet institucioneve të qeverisjes lokale dhe qytetarëve. Këshillat janë shumë aktiv kur bëhet fjalë për angazhimin e komunitetit në aktivitete vullnetare dhe ngjarje shoqërore.

Në anën tjetër, Arta Beqa mendon se në këshillit të fshatit të saj i mungojnë aktivitetet për ngritjen e vetëdijes. Ajo konsideron se në ditët e sotme ekziston mundësia optimale për të dyfishuar përpjekjet e komunikimit dhe për të krijuar kontakt dhe për të rrjetëzuar më shumë gra nga këshillat e fshatrave tjera.

“Në këtë pikë ne duhet të çojmë këtë çështje një hap më përpara dhe mendoj se përpjekjet tona duhet të fokusohen në ofrimin e informatave dhe shërbimeve për publikun e gjerë”, thotë Beqa, duke shtuar se duhet shfrytëzuar mediat sociale për të nxitur interesimin e institucioneve lokale të jenë më aktive në fuqizimin e grave.

“Ajo që ne mund të bëjmë është që t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe mos të kemi dallime në baza gjinore në projektet e ardhshme. Duhet të kemi mobilizim më të mirë të grave, ashtu që ato të marrin pjesë në mënyrë aktive në debatet publike dhe të flasin hapur për çështjet me të cilat ato ballafaqohen”, thotë ajo.

Ekspertët lokal të angazhuar në këshillat e fshatrave shpjegojnë ndikimin e qasjes të shfrytëzuar nga projekti DEMOS me qëllim mobilizimin dhe inkurajimin e  grave nga zonat rurale që të bëhen pjesë e proceseve demokratike.

Angjelina Krasniqi, eksperte vendore për barazi gjinore, e angazhuar nga projekti DEMOS, thotë se për më shumë se dhjetë vite, në këshillat e fshatrave të 13 komunave të Kosovës, vetëm 6 përfaqësues kanë qenë gra.

“Por në vitin 2013, projekti LOGOS (paraardhësi i projektit DEMOS) ka mbështetur zgjedhjet në këshillat e fshatrave dhe si rrjedhojë, përfshirja e grave në këto këshilla është rritur për 90 për qind”, thotë Krasniqi. Sot, nga më shumë se 320 këshilla të fshatrave në katër komuna të Kosovës të mbështetura nga DEMOS, 1984 anëtarë të këtyre këshillave janë meshkuj dhe 186 janë femra.

Krasniqi tregon se deri në vitin 2012 pjesa më e madhe e kërkesave bërë komunave ka qenë ndërtimi i fushave të futbollit, gjë kjo e cila pasqyron aktivitetet me orientim mashkullor në këshillat e fshatrave.

Megjithatë, ndryshimi i cili ndodhi pas zgjedhjeve në vitin 2013 ka treguar një balancim më të qëndrueshëm në raportet mashkull-femër.

“Pas vitit 2013 ka pasur më shumë kërkesa për të mbështetur nevojat e grave, e kjo është reflektuar edhe në rekomandimet për planifikimin e buxhetit komunal për periudhën 2017-2019”, shpjegon Krasniqi, duke shtuar se sfida kryesore për institucionet lokale është zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore.

Zyrtarët komunal pohojnë se përfaqësimi i balancës gjinore është duke u përmirësuar.

Rrahman Rrahmani, kryesues i kuvendit komunal në komunën e Shtimes, thotë se të gjitha komunat kanë përmbushur kuotën ligjore prej 30 për qind të përfaqësimit të grave si anëtare të kuvendit.

Megjithatë, kuota tjetër ligjore për të pasur përfaqësim 50 për qind në të gjitha organet e tjera të institucioneve publike mbetet larg nga objektivi i synuar.

“Përfshirja e grave në këshillat e fshatrave është një tregues pozitiv për komunën tonë, qeverinë tonë lokale dhe gjithashtu për gratë”, thotë Rrahmani, duke shtuar se në ditët e sotme kërkesat që vijnë nga këshillat e fshatrave kanë ndryshuar. Në listë ka më pak kërkesa për ndërtimin e fushave të futbollit.

“Kërkesat janë të përqendruara në çështje më thelbësore, të tilla si mundësitë e shkollimit dhe punësimit të grave në sektorin publik dhe atë privat. Këto janë çështjet për të cilat duhet të luftojmë që t`i adresojmë”.