Tematike

Kësaj radhe do “t`ia japim rastin” Zvicrës

Shpërthimi i pandemisë COVID 19, bëri që tek shumë mërgimtarë për herë të parë, të paraqiten dyshime nëse do ta vizitojnë vendin e prejardhjes këtë verë. Albinfo.ch ka biseduar me disa prej tyre

Për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, qofshin nga Kosova apo trojet tjera shqiptare, ka qenë pothuajse një rregull i pashkruar që pushimet vjetore t`i kalojnë në vendlindje.

Për shumicën e tyre, nuk kishte pothuajse kurrë ndonjë pikë dyshimi rreth kësaj. Ndoshta është më e kuptueshme për gjeneratën e parë ose të dytë të mërgimtarëve, por edhe shumë nga ata që kishin ardhur këtu si të vegjël, apo që janë të lindur në Zvicër, destinacion kryesor për pushime vjetore e kishin vendlindjen ose vendin e të parëve.

Por fillimi i vitit 2020 doli që të jetë paksa ndryshe. Shpërthimi i pandemisë globale COVID 19, që kushtëzoi mbylljen e kufijve ndërshtetëror dhe të  aeroporteve, bëri që tek shumë mërgimtarë mbase për herë të parë, të paraqiten dyshimet e para nëse do ta vizitojnë vendin e prejardhjes këtë verë.

E ardhur si e re në Zvicër, Merita Sinani nga Cyrihu, së bashku me vajzën e saj, tashmë sa kohë kishin bërë praktikë shkuarjen në Kosovë, më saktë për pushimet e verës. Edhe pse njeh dhe eksploron në çdo kohë të lirë bukuritë që ofron Zvicra, duke bërë ecje nëpër bjeshkë të ndryshme, ajo prapë nuk mund t`ia kthente shpinën Kosovës.

 Në “mungesë” të Kosovës, Merita kësaj vere do të eksplorojë Zvicrën

Edhe këtë vit, ajo së bashku me vajzën e saj, si dhe motrën me familjen 4 anëtarëshe, kishin hartuar në hollësi vendet që do t`i vizitonin gjatë pushimeve në Kosovë.

Por pas shpërthimit të pandemisë, e sidomos tash pas përkeqësimit të gjendjes në vendlindje, duket se planet e saj do t`i marrë era.

„Tiefenkastel Alvaschein, Sur Alp flix, Wallis, Neuchatel e Murtensee, janë disa nga vendet që së bashku me motrën kemi vendosur t`i vizitojmë këtë verë në Zvicër“ shprehet paksa e dëshpëruar Merita. Por në anën tjetër ajo i gëzohet faktit se do t`i jepet mundësia për të vizituar disa vende mjaft pitoreske në Zvicër. “Do t`i japim një rast Zvicrës, kësaj radhe”, thotë ajo me shaka.

Megjithatë, Merita shpreson se me kalimin e kohës, gjërat do të përmirësohen, dhe ajo prapë do vazhdojë që një pjesë të madhe të pushimit vjetor, ta kalojë në vendlindjen e saj.

Xheku tashmë ka bërë listën e pikave që do t`i vizitojë në Zvicër

Në anën tjetër kemi edhe Xhek Krasniqin që vjen nga qyteti i Gjilanit. I ardhur edhe ky po ashtu në një moshë mjaft të re në Kantonin e Aargau të Zvicrës, si edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë, kishe ndjekur ritualin e zakonshëm, që pushimet vjetore t`i kalonte në Kosovë.

Por ka shumë vite që Xheku, ka thyer paksa këtë traditë. Tashmë vizitat në Kosovë i bënte më shumë në mënyrë spontane, kur kishte ndonjë punë, ndonjë takim me shoqëri, apo ndonjë ndeshje të rëndësishme futbolli. Pos që së bashku me bashkëshorten Xhemin, kanë shëtitur në shumë vende të botës, ai preferon që një pjesë të mirë të pushimit vjetor ta kalojë në Zvicër, ne vendin ku po jeton, dhe në të cilin janë rritur edhe 3 fëmijët e tij.

“Borxhi” ndaj Zvicrës

„Në Zvicër kam arritur gjithçka që kam tash. Këtu janë lindur dhe rritur fëmijët e mi. Prandaj, për të gjitha të mirat që na ka mundësuar ky shtet ne si familje, ndihemi paksa në borxh, të cilin do ta paguajmë duke shijuar bukuritë e shumta që ka shteti helvetik“. Kështu shprehet Xheku, teksa numëron vendet e shumta të cilat i ka vizituar, dhe të tjerat, të cilat i ka në plan.

Si një ngasës i pasionuar i motoçikletës, ai së bashku me Xhemin edhe këtë verë kanë vendosur që të vizitojnë edhe shumë vende tjera, që nuk i kanë vizituar ende.

Pasi që i pëlqen edhe skijimi, një sport mjaft popullor në Zvicër, ai në raste të rralla ka pranuar të shkojë për skijim në vende tjera. Këtë e kishte konsideruar si një lloj “tradhtie” ndaj Zvicrës, kur kemi parasysh se Zvicra njihet me shtigjet ndër më të mirat në Evropë.

E raste të ngjashme si të Meritës dhe Xhekut, tashmë hasim shumë. Por atyre që ende shpresojnë për përmirësimin e situatës sa i përket pandemisë së Koronavirusit, ju urojmë rrugëtim të mbarë për vendlindje. Po ashtu ky urim vlen edhe për ata të cilët Zvicrën tashmë e shohin si destinacion për pushimet e tyre vjetore.

Ende shpreson se do të mund të vizitojë Kosovën…

Teksa numëron një listë vendesh që planifikon t`i vizitojë në Zvicër, Merita thotë si me shaka: “Do t`i japim një rast Zvicrës, kësaj radhe”. Megjithatë, ajo shpreson se me kalimin e kohës, gjërat do të përmirësohen, dhe ajo prapë do vazhdojë që një pjesë të madhe të pushimit vjetor, ta kalojë në vendlindjen e saj.

 Nuk do të “tradhtojë” Zvicrën

Pasi që i pëlqen edhe skijimi, një sport mjaft popullor në Zvicër, ai në raste të rralla ka pranuar të shkojë për skijim në vende tjera. Këtë e kishte konsideruar si një lloj “tradhtie” ndaj Zvicrës, kur kemi parasysh se Zvicra njihet me shtigjet ndër më të mirat në Evropë.

  • Artikulli është marrë nga numri më i ri i magazinës sonë, albinfo.ch. Është shkruar nga fundi i muajit qershor