Lajme

Kerry: Marrëveshjet që cenojnë Kosovën, nuk do t’i pranojmë

Sekretari amerikan i Shtetit, Jon Kerry tha në Prishtinë se SHBA-të nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje që cenon integritetit e Kosovës. Ai kërkoi të kthehet debati në Parlament

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry përcolli në Kosovë mesazhe të qarat se SHBA-të nuk do ta mbështesë asnjë marrëveshje që cenon integritetin e Republikës së Kosovës. Ai i siguroi përfaqësuesit e institucioneve vendore se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën, por jo edhe dhunën në Kuvend.

Sekretari amerikan ka arritur në Kosovë rreth orës 15:00, ndërsa në Aeroportin “Adem Jashari” është pritur nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Po ashtu ai është pritur me ceremoni nga Garda Ceremoniale e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Në hapësirat e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, ai është takuar edhe me dy zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Branimir Stojanoviq.

“Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, tha sekretari Kerry, duke bërë me dije se marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar me Serbinë kanë mbështetjen e plotë të SHBA-ve.

“Flamujt që keni vendosur këtu, tregojnë për respektin dhe krenarinë që keni ju ndaj shtetit tonë. Ju jam mirënjohës për këtë sjellje në emër të SHBA-ve”, tha në fillm të konferencës për media Kerry. Në sfond ku u mbajt konferenca në Aeroport, ishin të vendosur gjashtë flamuj, tre kosovarë dhe tre amerikan.

“Është një rrugëtim i rëndësishëm që kemi bërë së bashku dhe kjo ka të bëjë me respektin e ndërsjellë. Kosova meriton një vizitë më të gjatë dhe ju kam premtuar se do të vij sërish kur të kem më shumë kohë. Por kam menduar se përderisa do të shkoj në Beograd dua që të vij edhe këtu që të flasim për dialogun. Dua të sigurohem që Kosova ka kuptuar respektin dhe angazhimin tonë në këtë proces. Në emër në të presidentit Obama ju kam sjell përshëndetjet e tij”, tha ai.

Sekretari amerikan foli edhe për zhvillimin e Kosovë, për fuqinë punëtore dhe rininë që ka Kosova, por tha se duhet më shumë durim, për të reflektuar për të ardhmen.

Nënshkrimi i MSA-së, sipas tij, paraqet një hap të madh në integrimin evropian të Kosovës. “Këto fitore janë rezultat direkt i vullnetit të Kosovës për të bërë progres në dialogun me Serbinë të lehtësuara nga BE-në”, tha ai.

“Dhuna është e papranueshme në Kuvendin e Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës duhet të ketë debat ku njerëzit dëgjojnë njëri tjetrin në mënyrë paqësore. Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejtë të flasin. Duhet të gjendet një rrugë e përbashkët dhe kjo është kryesore për Kosovën”, deklaroi Kerry.

Ai tha se “ne në SHBA vijmë nga parti të ndryshme, por kemi gjetur gjuhë të përbashkëta”. Ne, tha Kerry, e kemi kuptuar këtë rrugë që lufta të lihet prapa.

“Debati duhet të ndodhë në demokraci. Nuk ka vend për gaz lotsjellës në Kuvend. Të gjitha partitë duhet të largohen nga dhuna dhe të gjejnë rrugën e përbashkët. Rruga e përbashkët do të ishte që secili qytetarë të trajtohet i njëjtë pavarësisht racës, gjinisë e orientimit seksual”, deklaroi ai.

Sekterai amerikan po ashtu foli edhe për Gjykatën Speciale për krimet e luftës për të cilën tha se duhet të bëhet.” Kosova do të themeloj Gjykatën Speciale e cila do të merret me dyshimet e krimet të luftës. I kërkon liderëve të Kosovës të luftoj korrupsionin. SHBA do të qëndroj pranë Kosovës”, deklaroi ai.

Po ashtu ai foli edhe për ekstremizmin. Ai tha se SHBA kanë bashkëpunuar me Kosovën që të adresojmë çështjet e ekstremizmit. “Kosova po vendos shembull të rëndësishëm në rajon duke arrestuar persona të ndryshëm”, deklaroi në fund Kerry duke kërkuar po ashtu bashkëpunim “për të luftuar premtimet e rrejshme të Shtetit Islamik, përmes të cilave ekstremistët joshin të rinjtë t’u bashkohen një jete që nuk çon askund”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke falënderuar SHBA-në për ndihmën e dhënë për Kosovën dhe ndërtimin e shtetit, e garantoi atë se do të vazhdojnë dialogun me Serbinë, pavarësisht veprimeve të dhunshme të opozitës.

“Kosova është shtet i gjithë qytetarëve, miltietnike dhe këtë e konsiderojmë si pasuri dhe vlerë të vendit tonë. Pas MSA-së ne presim edhe liberalizmin e vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës. Edhe për kundër veprimeve të dhunshme të opozitës kundër dy marrëveshjeve për themelimin e Asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, Qeveria është e gatshme të vazhdoj dialogun me Serbinë”, tha Mustafa.