Lajme

Kërkohet qasje më e mirë në arsim për emigrantët në Zvicër

Një aleancë e grupeve joqeveritare ka bërë thirrje për përmirësimin e aksesit në arsim për refugjatët në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Grupet thanë se kishin mbledhur më shumë se 17,000 nënshkrime për një peticion jodetyrues, duke kërkuar të drejtën për arsimim pavarësisht nga statusi ligjor i individëve.

Refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët e paligjshëm shpesh përballen me pengesa të pakapërcyeshme, thanë ata të mërkurën. Aleanca tha gjithashtu se familjet që ikën në Zvicër kishin nevojë për strehim të përshtatshëm dhe qasje në shkolla të rregullta për fëmijët e tyre dhe për të rriturit që të ishin në gjendje të përfitonin nga klasa të arsimit të mëtejshëm për të lehtësuar integrimin në shoqëri.

Ata thanë se institucionet kombëtare dhe kantonale duhet të sigurojnë që emigrantët me arsim të lartë të regjistrohen në universitetet zvicerane dhe diplomat e tyre të njihen më lehtë. Fushata nga grupet e të drejtave të njeriut, sindikatat dhe vullnetarët u nis tetorin e kaluar, përcjell tutje albinfo.ch.