Kosova

Kosovë: Kërkohet nga Presidenti Thaçi të kthehet Ligji për paga

Përfaqësues të sindikatave të tri ndërmarrjeve publike, KEK, PTK-së dhe KOSTT-it, kanë kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që ta rikthejë në Kuvend Ligjin për paga. 

Nëpërmjet një letre të përbashkët, ata kanë kërcënuar nëse një gjë e tillë nuk bëhet, do të detyrohen të protestojnë e të mbajnë greva.

Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave konsiderojnë se u është bërë e padrejtë këtyre ndërmarrjeve kur janë futur në Ligjin për paga.  “Konsiderojmë që këto ndërmarrje kanë qenë dhe janë shtyllat kryesore të shtetit, pra energjia dhe telekomunikacioni. 

Për funksionimin normal të këtyre ndërmarrjeve nevojiten ekspertë të fushave të caktuara, të cilët i kemi momentalisht dhe ne operojmë, zhvillohemi nga profesionalizmi i punës së këtyre ekspertëve të lëmive të ndryshme”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Përfaqësuesit sindikalë kanë thënë se në rast të nënshkrimit të këtij Ligji nga ana e presidentit, pasojat mund të jenë të pariparueshme.