Lajme

Kërkohet drejtësi për gratë e dhunuara në luftë

Të hënën e ardhshme, me 14 korrik nis peticioni 5-ditor me kërkesën: "Duam Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë"

Më 14 korrik në gjithë Kosovën do të fillojë nënshkrimi i një peticionit me kërkesë: “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”. Ky peticion u iniciua nga një bord i rave kosovare, e udhëhequr nga zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri.

Në takimin e sotëm që këto gra kanë mbajtur sot (e martë) u mor vendim që peticioni të nis me nënshkrime me 14 korrik dhe do të zgjasë pesë ditë.

“Bordi Drejtues me këtë rast fton të gjithë qytetaret e vendit tonë që të japin kontributin e tyre dhe të dalin ta nënshkruajnë në mënyrë sa më masive këtë peticioni, si një formë e shprehjes së fuqishme të mbështetjes për gratë kosovare, viktima të dhunimeve gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Nëpërmjet këtij peticioni, siç thuhet, do t’u dërgohet mesazh i fuqishëm gjithë botës se Kosova kërkon drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit.

Në këtë takim po ashtu Bordi mori vendim që këngëtarja Eliza Hoxha të jetë anëtare e këtij Bordi drejtues duke marrë për bazë kontributin e sajë përmes artit për këtë çështje të ndjeshme tragjike me projektin e saj për gratë e dhunuara gjatë luftës “Heshtja e këngës”.

“Bordi falënderon të gjitha televizionet nacionale të cilat kanë pranuar të transmetojnë video mesazhin e peticionit pa pagesë dhe vlerëson se ky është një kontribut i mediave tona nacionale për të ndriçuar më tej këtë krim gjenocidal që gratë e Kosovës gjatë luftës”, konsideron zëvendëskryeministrja Tahiri.

Ndryshe, sipas statistikave jozyrtare, forcat e kombinuara, policore, ushtarake e paramilitare serbe, dyshohet se kanë keqtrajtuar seksualisht rreth 20 mijë gra kosovare. Numri i saktë i tyre nuk dihet, pasi që për 15 vjet kjo ka qenë tabu temë në shoqërinë kosovare.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi një Ligj, që mbron gratë e dhunuar gjatë luftës, viktimat civile të luftës dhe familjeve të tyre.