Futboll

Kërkesa e tifozëve të Bllagoevgradit për Maqedoninë, habit francezët

Kërkesa e tifozëve të ekipit Pirin nga Bllagoevgrad është shumë e çuditshme: Ata duan që ekipi i tyre ta braktisë Kampionatin bullgar dhe t’i bashkohet atij maqedonas.

Është pothuajse e ngjashme sikurse tifozët e LOSC Lille të kërkojnë që ekipi i tyre të tërhiqet nga Ligue 1 dhe t’i bashkohen Kampionatit belg. Të dëshpëruar nga vendimet arbitrare të gjyqtarëve, të cilët ishin vendimtarë që ekipi i Pirinit të bie në Ligën e dytë bullgare, tifozët e Pirin Bllagoevgradit duan që ekipi i tyre të tërhiqet nga Kampionati bullgar dhe t’i bashkohet atij maqedonas.

Të motivuar nga afërsia e Pirinit me Maqedoninë (rreth njëzet kilometra distancë), tifozët i janë drejtuar me shkrim drejtpërsëdrejti Ligës maqedonase. “Të nderuar udhëheqës të futbollit maqedonas, ne, tifozët nga Bllagoevgradi, ju lusim që ta pranoni ekipin tonë në Kampionatin maqedonas nga sezoni i ardhshëm”, kanë shkruar ata dhe citohen nga e përditshmja sportive franceze “”L`Equipe”, njofton Albinfo.ch.

“Gjatë njëzet viteve të fundit, ekipi i Pirinit i është nënshtruar qëllimisht represionit të Ligës bullgare (BFU) dhe vendimeve të këqija arbitrare”, kanë shkruar më tej tifozët.

As Pirini e as Liga bullgare deri më tani nuk janë prononcuar lidhur me skandalin.