Kosova

Kërcënohet me vdekje kryetari i Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, thotë se ka pranuar një email, në të cilin është kërcënuar me vdekje. 

Nuk dihet përmbajtja e saktë e tekstit kërcënues, përveçse është shkruar në gjuhën serbe.

Kryetari Bahtiri ka bërë të ditur se kërcënimi iu bë nga serbët dhe ndërlidhet me insistimin e tij për hapjen e urës së Ibrit.

Sipas tij, rasti është lajmëruar në polici dhe hetuesit janë duke punuar për kapjen sa më të shpejtë të autorit të këtij mesazhi.

Ai ka premtuar se procesin për hapjen e urës nuk do të mund ta ndalojë askush dhe se ura do të hapet shumë shpejt, por nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë.

Bahtiri ka porositur qytetarët që të jenë të qetë dhe të mos brengosen për mesazhe të tilla.  Kërcënimin ndaj Bahtirit e ka dënuar kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme.

“Angazhimi konstruktiv i Bahtirit që të ndërtojë relacione stabiliteti ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë, mund t’u pengojë vetëm kriminelëve dhe bandave. Vendosmëria jonë, si institucione, e kryetarit Bahtiri është e paluhatshme dhe e pandalshme para secilës sfidë”, thuhet në reagim.