Lifestyle

Këngëtarët e Kosovës, në “hall” me Zyrën e Migracionit të Cyrihut

Muaj më parë, këngëtarja kosovare, Ana Kabashi, u ftua të performonte në klubin “Rinora 4” në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Ani pse mori ftesë nga klubi i njohur shqiptar, Kabashi nuk arriti të shkonte, sepse kërkesa iu refuzua nga Zyra për Migracion e Kantonit të Cyrihut.

Megjithëse është e njohur në Kosovë dhe diasporë, madje para disa vjetësh ka fituar çmimin e parë në festivalin “New Music” në Bullgari, Ana thotë se këto nuk i mjaftuan për t’ia “dëshmuar” zyrës së Migracionit se është këngëtare.

“Jemi zhgënjyer prej Zyrës së Migracionit, e cila ka “vendosur” se kush është këngëtare e kush jo… Nuk dihet kush është aty, kush vendos për atë punë, edhe çfarë kritere kanë ata kur këngëtari është i njohur në të gjitha trevat shqiptare”, është shprehur Ana për albinfo.ch.

Siç pretendon Kabashi, një ndër arsyet e refuzimit të saj, ishte numri “jo i mjaftueshëm” i ndjekësve në llogarinë e saj në Instagram.

“Arsyeja ka qenë se: nuk i ke një million followers (ndjekës) në Instagram… Unë Instagramin e kam të verifikuar si artiste, dhe e gjithë krijimtaria ime, karriera ime është në Instagram, Facebook, Youtube, në intervista, është nëpër plot koncerte, postera, të gjitha i kam pasur kur i kam dërguar dokumentet, edhe ata nuk e kanë parë të arsyeshme”, ka thënë Kabashi për albinfo.ch.

Ana po ashtu është demotivuar, sepse siç thotë ajo, ky refuzim po ia vë në pikëpyetje profesionin e saj, që e ushtron tash e sa vite.

“Kjo, disi t’i mbytë ëndrrat, sepse nuk të lejon të dalësh jashtë trojeve shqiptare, edhe normalisht që pastaj rinia e Kosovës do të “përtojë” të punojë më shumë për të dalë jashtë Kosovës, nga shkaku i kësaj gjendje të keqe të vizave”, ka thënë këngëtarja.

Megjithëse nga Kantoni i Cyrihut mori përgjigje negative, ajo nuk e pati problem të udhëtonte drejt kantonit të Bernës, për të performuar në njërin nga klubet atje.

Edhe “Rinora 4” preket nga refuzimi i vizave të këngëtarëve nga Zyra e Migracionit

Refuzimi i këngëtarëve po i shqetëson edhe pronarët e klubeve të muzikës. Shaban Konxheli, menaxher në “Rinora 4”, është detyruar të ankohet në një instancë më të lartë në Bernë, për shkak se i është refuzuar viza edhe Burim Kryeziut (DJ Kont) për të performuar në Cyrih. Ai ka thënë për albinfo.ch se është prekur nga refuzimi “i pabazë, i këngëtarëve që vijnë për të perfomuar në Rinora 4”.

Sipas tij, kjo po u kushton shumë duke angazhuar avokatë, por edhe po e dëmton reputacionin që ka me vite klubi “Rinora 4” në Zvicër.

Konxheli pretendon se Zyra e Migracionit në Cyrih, pa asnjë bazë ua refuzon vizat DJ-ve dhe këgëtarëve që kanë emër në muzikën shqiptare, si në rastin e Dj Kontit që përcjell edhe Era Istrefin, njëra këngëtareve shqiptare me famë ndërkombëtare.

Sipas tij, është absurd një refuzim i tillë me arsyetimin se këngëtaret nuk janë të kualifikuara.

“Dj Konti kishte vizë të rregullt që nga viti 2011 në “Rinora 4”. Ndërsa papritmas, nga viti 2018 i refuzohet të marrë vizë pune! Kështu, ne jemi detyruar të angazhojmë avokatë që kushtojnë shumë në Zvicër, vetëm e vetëm që ta kemi sërish në klubin tonë njërin nga DJ më të mirë në gjitha vendet ku ka shqiptarë. Ne jemi të sigurt se edhe DJ Kontin do ta angazhojë ndonjë klub tjetër (jashtë Kantonit të Cyrihut) ashtu siç na morën Ana Kabashin, e cila është njëra nga artistet më të njohura kosovare”, ka thënë Konxheli, duke cituar arsyetimin e zyrtarëve të Zyrës se Migracionit në Cyrih, që sipas tij, “kështu ka vendosur shefica e tyre”.

Zyra për Migracion “vlerëson” këngëtarët nga klikimet në YouTube

Një rast i ngjashëm është bërë lajm në mediet zvicerane ditët e fundit. Siç raportoi gazeta Neue Zürcher Zeitung, Zyra për Migracion e Kantonit të Cyrihut e refuzoi kërkesën e Xhevahire Bytyqit, me arsyetimin se ajo nuk ishte këngëtare mjaft e kualifikuar.

Dhe për kualifikimin e saj, punëtorët e zyrës, sipas NZZ, u bazuan ndër të tjera në klikimet që ka në këngët e saj këngëtarja Bytyqi.

“Në fakt, udhëzimi i Zyrës për Migracion kërkon që muzicientët nga vendet e treta që kërkojnë leje qëndrimi të shkurtë në Zvicër, duhet të dëshmojnë se do të ofrojnë prezantim cilësor muzikor në nivel të lartë. Ata, vërtet që nuk detyrohen të këndojnë në lokalet e zyrës në fjalë, por duhet të sjellin një dëshmi për kualifikimet e tyre”.

Megjithëse Xhevahirja u kishte dërguar një vërtetim të një shoqate kosovare, sektorit për këndim dhe vallëzim të së cilës ajo i takon nga viti 2000, prapë nuk i mjaftoi për t’u “dëshmuar” si këngëtare.

I dëshpëruar nga ky vendim mbeti edhe pronari i lokalit ku do të performonte Xhevahirja. Sipas tij, një veprim i tillë do t`ia shkatërrojë biznesin, duke qenë se vendime të tilla, negative, i kanë ardhur edhe për këngëtarë tjerë, me të cilët ai e mban “gjallë” lokalin.

Rikujtojmë se autoritetet janë bërë kaq kërkuese në këtë drejtim, për shkak të disa abuzimeve që kanë ndodhur. Janë shënuar raste kur është ngatërruar fusha e rregullimit të kësaj çështjeje me atë të prostitucionit. Bëhet fjalë për statusin e ashtuquajtur të valltareve të kabareve. Ky status ishte vendosur para 25 viteve për të mbrojtur gratë në bare kontakti. Por me kohë rezultoi se ky status e bënte të kundërtën: favorizonte diskriminimin e grave dhe trafikun me qenie njerëzore. Kjo ka qenë arseja që ky status të hiqej në vitin 2016, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, kësaj po ia shohin “sherrin” disa nga këngëtarët e Kosovës dhe pronarët e klubeve muzikore në Zvicër. Ata thonë se janë lodhur duke përpiluar ankesa e duke u marrë me procese gjyqësore.

Madje njëri prej tyre nuk e ka mohuar kthimin në Kosovë, pikërisht për shkak të këtye sfidave, përcjell albinfo.ch.