Futboll

Katër shqiptarë në çerekfinale të Ligës së Evropës

Granit Xhaka, Shkodran Mustafi, Valon Berisha dhe Thomas Strakosha janë kualifkuar në çerekfinale

Të enjten mbrëma përfunduan ndeshjet e 1/8 së finales në Ligën e Evropës, ku u mësuan tetë skuadrat çerekfinaliste, shkruan albinfo.ch.

Kështu në çerekfinale, si rrallë herë, do të kemi katër futbollistë shqiptarë: Granit Xhaka, Shkodran Mustafi, Valon Berisha dhe Thomas Strakosha.

Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi u kualifikuan me Arsenalin, pasi në dy ndeshjet fituan ndaj Milanit. Në Itali triumfuan 2:0, kurse në Londër me rezultat 3:1, ku një gol të bukur e realizoi Xhaka.

Valon Berisha me Salzburgun kanë eliminuar Dortmundin. Takimi i parë në Gjermani ishte vendimtar, ku austriakët triumfuan 2:1, me dy golat e Berishës, njërin nga penalltia dhe tjetrën një super gol, derisa ndeshja e kthimit në Austri përfundoi pa gola.

Kualifikimin tutje e ka siguruar edhe Lazio që mundi Dinamo Kievin në udhëtim 2:0, kurse ndeshja në Itali kishte përfunduar 2:2. Portieri shqiptar, Thomas Strakosha luajti për 180 minuta në dy sfidat.