Lajme

Katër mërgimtarë të mbijetuar nga aksidenti vendosën të kthehen në Gjermani për shërim

Në një prononcim për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se 15 bashkatdhetarë të tjerë vazhdojnë të marrin trajtim në Slavonski Brod, derisa një tjetër është transferuar në një klinikë në Zagreb për trajtim të mëtejmë.

“15 bashkatdhetarë tanë që po trajtohen në spital në Slavonski Brod janë në gjendje stabile, përveç dy personave që gjenden në njësi intensive. Njëri është akoma në gjendje të rëndë, tjetri në gjendje stabile jashtë rrezikut për jetë”.

Vitia ka treguar se jo të gjithë ata që ishin nisur për Kosovë kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë udhëtimin.

“Nga të liruarit, 4 nga bashkatdhetarët kanë vendosur të shkojnë në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm, në koordinim të plotë me ambasadën tonë në Kroaci dhe Kryqin e Kuq kroat. Gjashtë pritet të lirohen në ditët në vijim, deri të enjten ose të premten. E nëntë do të vazhdojnë të marrin ndihmën mjekësore, derisa të rehabilitohen, e më pas do të shohim nëse duan të vazhdojnë tretmanin në Kosovë apo Gjermani”, ka thënë Vitia.

Ministri i Shëndetësisë  ka treguar më tej se njëri nga bashkatdhetarët që është kthyer në Kosovë, ka shfaqur disa shqetësime dhe është dërguar menjëherë në emergjencë të QKUK-së.