Integrimi

Katër breza në Zvicër, me shqipen gjithmonë në zemër

Kur, më 1970 Vasuf Shabani po zbriste në stacionin hekurudhor në Buchs të Zvicrës nuk mund ta imagjinonte se ai do të bëhej arsyeja që edhe gjenerata e 4-të e familjes së tij do të jetonte këtu

Në mars të vitit 1970, Vasuf Shabani nga fshati Miratoc i Luginës së Preshevës mori rrugën për në Zvicër. Ai, që aty, udhëtoi me tren për në Buchs, që është stacioni i parë hekurudhor i Zvicrës pasi të kalosh Austrinë, duke lënë mbrapa vendlindjen dhe gjashtë fëmijët dhe bashkëshorten. Kjo, me synimin që të punonte e t´iu ndihmonte atyre. Atë kohë, Vasufi nuk mund ta merrte me mend ai do të bëhej arsyeja që sot edhe gjenerata e 4-të e familjes së tij do të jetonte në Zvicër.

Fatime Shemsedini Shabani po studionte në Fakultetin Teknik për Ndërtimtari, në Universitetin e Prishtinës, në vitet 1981/82, kur situata politike për shqiptarët në Kosovë vetëm sa po përkeqësohej. Studimet e saj në universitet i ndërpreu pas dy viteve, me qëllimin që një ditë do të kthehej e të përfundonte atë që kishte nisur. Fatimja, e cila shkollën fillore e kishte kryer në fshatin e lindjes, në Miratoc dhe kishte nisur studimet në Prishtinë, sot ka tre fëmijë, të cilët kanë krijuar familjet e tyre, duke u bërë kështu gjenerata e 4-të që jeton në Zvicër.

Vajza e parë, që më 1985 la shtëpinë, për të punuar në Zvicër

Më 1985 Fatimja merr një telefonatë nga babai, e cila do ia ndryshonte asaj drejtimin e jetës. Pak kohë kaloi dhe ajo u bë vajza e parë nga familja, por edhe nga farefisi që la shtëpinë për t´u nisur drejt Zvicrës, për të punuar. Në një rrëfim për albinfo.ch ajo ka treguar se si la mbrapa nënën me dy vëllezërit dhe tri motrat.

“Ardhja ime në Zvicër më 1985 ishte shumë e vështirë. Kur emigrova ishte një sfidë shumë e madhe, se në fshat lash nënën, tri motrat dhe dy vëllezërit e mi. Atje lash edhe shkollën dhe shoqërinë. Këtu kisha babin dhe disa familjarë të tij, në atë kohë isha vajza e parë që emigrova nga familja dhe rrethi i gjerë familjar. Ishte shumë vështirë, sepse nuk dija gjuhën, kulturën e shumë gjëra të tjera” thotë ajo.

Vitet e para ishin shumë sfiduese për Fatimen. Posa shkoi në Zvicër, ajo nisi punë në një fabrikë ku punonte tashmë babai i saj, në Flums të kantonit  St. Gallen, vendi ku edhe jetonin. Fatimja thotë se bashkë me babanë mendonin se kjo do ishte një situatë e përkohshme, sepse shpresonin që situata në Kosovë të rregullohej.

“Mua zemra më rrihte për Prishtinën. Mendoja se do të kthehesha për të përfunduar fakultetin”, tregon ajo.

Sakrifica e babait për familjen

Kur flet për babën, Fatimja tregon se ai punonte shumë, dhe pa ndalur, për të fituar sa më shumë. Situata në atdhe nuk po rregullohej. “Babai ka sakrifikuar shumë për ne fëmijët dhe familjen më të gjerë. Ai punonte gjithë kohës, vinte në shtëpi, në Kosovë, vetëm në kohën e dimrit. Punonte si punëtor krahu, rregullonte shtëpi, tunele”, ka shtuar ajo.

Në vitin 1987 Fatimja humbë personin më të shtrenjtë, nënën. Ishte kjo kohë kur ajo dhe babai Vasufi, marrin vendim të sjellin gjithë familjen në Zvicër. Një vit më vonë, ajo martohet dhe merr burrin në Zvicër, ku së bashku krijojnë një familje të bukur me tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

E pyetur se si do të ishte jeta e saj po të mos kishte shkuar në Zvicër, ajo thotë: “Po të mos isha këtu, do të jetoja në Kosovë, me siguri në Prizren. Do të bëja një jetë normale, me një punë sipas mundësive, si të gjithë”.

Kur përmendet Kosova, ajo tregon se e vizitojnë të paktën 2-3 herë në vit bashkë me bashkëshortin.

Drenusha e Jorina, brezi i 3-të dhe i 4-të që jetojnë në Zvicër

Drenusha Rexhepi, vajza e Fatimes, u lind  në Walenstadt, në kantonin St. Gallen të Zvicrës. Ajo u rrit mes dy kulturave: në shtëpi i flisnin vetëm shqip, kurse sapo dilte që aty, gjermanisht.

“Tradita e zakone tjera”, thotë Drenusha, kur tregon fëmijërinë e saj si një shqiptare në një shoqëri zvicerane.

“Unë kisha një fëmijëri të lumtur mes dy kulturave. Në fillore ishte një shoqe zvicerane me të cilën dhe familjen e saj kam kaluar shumë kohë bashkë, kështu që si fëmijë e pata mundësinë të shihja se si jetojnë zviceranët dhe çfarë zakone kanë”, thotë ajo.

Kur flet për fëmijërinë e saj, ajo kujton me shumë mall gjysh Vasufin. E përshkruan me ndjeshmëri pozitivitetin që ai dinte t´ju jepte nipave dhe e mbesave. Teksa tregon për jetën e tyre, Drenusha kujton një histori që gjyshi ia kishte përmendur shpeshherë kur rrinin bashkë.

“Gjyshi shpeshherë na tregonte për historitë e tij, por gjithmonë na ka treguar me pozitivitet, kurrë nuk është ankuar se sa keq ka qenë për të. Por na thoshte se si më herët kanë qëndruar më afër, kanë ngrënë dreka e darka bashkë, edhe në ato kushte të vështira që i kanë pasur. Një histori që më prekë sa herë e kujtoj është kur e kam pyetur se si ia ka dalë në fillim kur nuk e ka ditur gjuhën. Ai më ka thënë se kanë hyrë një herë në një dyqan për të blerë vezë dhe nuk e kanë ditur se ku gjenden, kështu që e kanë pyetur punëtoren. Por, duke mos ditur gjuhën, ai bashkë më një shok kanë bë me zë e gjeste sikur pula  dhe është nënkuptuar se çka po kërkojnë”, tregon ajo.

“I afrojmë fëmijët me vendet tona, kurdo që mundemi”

Duke e ditur historinë e familjes, Drenusha, që sot ka dy fëmijë, Jorinën dhe Maelin i kushton rëndësi edukimit të tyre me gjuhën dhe traditën shqipe. Kështu, sikurse ajo kur ishte fëmijë, edhe Jorina e saj, që sot është 8 vjeçe dhe gjenerata e 4-të e familjes, shkon në shkollën plotësuese për gjuhën shqipe.

“Mbase e kemi më të vështirë sesa prindërit tanë sepse mua dhe bashkëshortit në shtëpi na është folur në shqip. Tani ndodhë që të na mungojë fjalori i shqipes dhe e ndryshojmë në gjermanisht. Megjithatë, Jorina sikur unë, shkon në shkollën plotësuese të gjuhës shqipe. Sepse, mendoj që aty do e njohë edhe më mirë kulturën dhe gjuhën tonë”, shprehet ajo.

Kur flasim për gjuhën shqipe, Drenusha tregon se bashkë me familjen e vizitojnë shpesh jo vetëm Kosovën, por edhe Luginën dhe Shqipërinë.

“I afrojmë fëmijët me vendet tona kurdo që mundemi. Sepse, duke i parë ato, e shohin që edhe atje është bukur dhe kur të rriten nuk i harrojnë dhe i vizitojnë”, ka shtuar ajo.

Drenusha pas 10 viteve eksperiencë si teknike në sallë të operacionit, nga viti 2020 punon si  docente në shkollën e lartë Gesundheit und Soziales (HFGS) në  Aarau.

Sikur Drenusha, edhe fëmijët e saj të brezit të katërt, ndjekin mësimin shqip

“Mbase e kemi më të vështirë sesa prindërit tanë sepse mua dhe bashkëshortit në shtëpi na është folur në shqip. Tani ndodhë që të na mungojë fjalori i shqipes dhe e ndryshojmë në gjermanisht. Megjithatë, Jorina sikur unë, shkon në shkollën plotësuese të gjuhës shqipe. Sepse, mendoj që aty do e njohë edhe më mirë kulturën dhe gjuhën tonë”, shprehet ajo.