Lajme

Kartoni i Gjelbër, pro dhe kundër tij

Tashmë dihet se Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e sistemit të “Kartonit të Gjelbër”.

Duke mos qenë pjesë e “Kartonit të Gjelbër”, sigurimi i veturave në Kosovë nuk vlen për vendet e tjera, si dhe veturat që hyjnë në Kosovë duhet të paguajnë sigurim shtesë, edhe nëse kanë apo jo “Karton të Gjelbër”.

Kjo ka prekur për vite me radhë më së shumti mërgimtarët kosovarë që nuk janë të paktë për nga ardhjet e tyre përmes vijave kufitare me automjete.

Qeveria e Kosovës ka disa vjet që bën plane për të futur në agjendën e saj një zgjidhje për këtë, por kjo nuk ndodhi deri më sot.

Me qëllim të lehtësimit të pritjeve në kufi për diasporën dhe si masë për të motivuar ardhjen e diasporës, institucionet e Kosovës, në krye me kryeministrin Kurti, morën përsipër që të paguajnë policat e sigurimit për pjesëtarët e diasporës dhe të gjithë ata që hyjnë me automjete të huaja përmes rrugëve tokësore në Kosovë.

Të shumta ishin reagimet, pro dhe kundër.

Shumë mërgimtarë vlerësuan këtë vendim si të drejtë dhe motivues për ardhjet e tyre në vendlindje, por kishte edhe kundër këtij vendimi, pasi sipas tyre, nuk kishte ndonjë peshë të madhe për mërgimtarët pagesa e një “Kartoni të Gjelber”.

Pro

Mërgimtari nga Gjermania, Urim Avdyli, tha se pagesa e policave të sigurimit është pozitive dhe përherë të parë nga Qeveria është marrë një vendim në të mirën e diasporës.

“Është pozitive dhe motivuese për ne si mërgimtarë. Ndoshta nuk është gjë e madhe, por ky vendim mua personalisht më ka bërë të ndihem mirë dhe i vlerësuar nga vendi im. Unë vij 2-3 herë në vit në Kosovë dhe vendimi për “Karton të Gjelbër” është motivues për mua, ani pse kam mundësi të paguaj atë”, tregon Urimi për albinfo.ch.

Edhe mërgimtari Eduart Haliti e përgëzon Qeverinë lidhur me vendimin për pagesa, duke u shprehur se ndihet krenar që për herë të parë Qeveria Kurti u kujtua për të mirën e diasporës.

“Unë jam i kënaqur me vendimin e Qeverisë Kurti, sepse për herë të parë ajo u kujtua për mërgimtarët. Kjo është një ndihmesë për ne, edhe pse ne si mërgimtarë besoj që e shpaguajmë 100 herë këtë të mirë në forma të tjera në vendlindje”, tha ai.

Në fakt, para pak javësh Qeveria e Kosovës u ka vazhduar mërgimtarëve deri më 31 dhjetor të 2022-ës mbulimin e policave kufitare.

Lidhur me këtë, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky vendim i takon pakos së ringjalljes ekonomike dhe duhet të vazhdohet, meqë është vit i ri fiskal.

“Ky mbulim pritet të ndodhë deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për këtë çështje dhe deri atëherë nuk kemi një propozim të ri”.

Kundër

E lidhur me këtë çështje, ka edhe mendime kundër vendimit të policës së sigurimit.

Hektor Lata nga Zvicra nuk e sheh si zgjidhje të mirë vendimin që Qeveria e Kosovës të paguajë policat e sigurimit, pasiqë sipas tij, kjo do të jetë në dëm të buxhetit të Kosovës.

“Nuk është zgjidhja më e mirë, sepse ndikon direkt në buxhetin e shtetit të Kosovës. E vlerësoj qëllimin e mirë, por duhet kërkuar një zgjidhje që nuk i dëmton direkt të ardhurat e shtetit”, tha ai.

Njëjtë mendon edhe mërgimtari nga Franca, Naim Salihu, sipas të cilit, çdo mërgimtar ka mundësi të paguajë një “Karton të Gjelbër” në kufi.

“Nuk mendoj se është vendim më i mirë, sepse të gjithë mërgimtarët besoj që kemi aq të holla sa për ta paguar një shumë të caktuar në kufijtë e Kosovës. Pavarësisht se ky vendim është qëllimmirë dhe duhet duartrokitur, kur e di se nuk i bëjmë mirë shtetit, nuk kam si të mendoj ndryshe”, shprehet ai.

Lidhur me shpenzimet, Albinfo.ch ka hulumtuar të hyrat dhe shpenzimet nga policat kufitare, sipas së cilës nga viti 2002 deri në vitin 2020 të hyrat e kompanive të sigurimeve nga policat kufitare sillen mesatarisht nëntë milionë euro në vit.

“Të hyrat nga policat kufitare përbëjnë në mesatare rreth 8% të të hyrave vjetore të kompanive të sigurimeve. Që nga viti 2002 kompanitë e sigurimeve shesin mesatarisht 260 mijë polica kufitare në vit. Ndërkohë në një vit ky numër ka shkuar deri në mbi 480 mijë polica kufitare të shitura, apo më shumë se sa vetura të regjistruara brenda vendit”, thuhet në raportin e GAP-it, bazuar në seritë kohore të BQK-së dhe të dhënat e BKS-së për muajin gusht 2021. /Albinfo.ch