Shqipëria

Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët demokratë përmbysin karriget

Deputetët e opozitës dhe maxhorancës në Shqipëri kanë mbërritur më herët se orari zyrtar në Kuvend këtë të enjte. Bëhet me dije se ka pasur sërish përplasje mes ligjvënësve demokratë dhe punonjësve të Gardës, të cilët kanë rrethuar ambientet e Parlamentit.

Nga pamjet e publikuara në rrjete sociale nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, shihet një situatë kaotike brenda Parlamentit, ku ligjvënësit demokratë kanë përmbysur karriget përpara foltores së Kuvendit.

Edhe në mbërritjen përpara Parlamentit, Berisha paralajmëroi se këtë të enjte nuk do të ketë një seancë plenare normale në Parlamentin e Shqipërisë.

“Parlamenti është vendosur nën shtetrrethim, është vendosur në shtetrrethim! Ky është si të ishte Parlamenti i Koresë së Veriut, Parlamenti i Bjellorusisë, Parlamenti i vendeve diktatoriale. Është i rrethuar nga të gjitha anët nga forca të shumëllojta, të cilat dëshmojnë frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme, nga opozita e cila po mbron Kushtetutën dhe për rrjedhojë interesat e çdo qytetari shqiptar, tha Berisha.