Shqipëria

Kaos në kufirin shqiptaro-grek, një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën

Një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën nga goditja e një autoambulance në radhën kilometrike të shqiptarëve që kërkojnë të udhëtojnë drejt Greqisë.

Autoritetet spitalore në Gjirokastër i thanë “Zërit të Amerikës” se fëmija S.N.,10 vjeç, nga Lezha u dërgua i pajetë në spital gjatë orëve të paradites të së shtunës.

Policia e Gjirokastrës tha se “ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, në aksin kombëtar Kakavije – Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, ku autoambulanca që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, përplasi për vdekje të miturin”.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar për herë të parë, përmes një postimi në Instagram, lidhur me këtë situatë dramatike ku me mijëra shqiptarë po sfliten prej 4 ditësh:

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi! Në ndërkohë Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Përmetit, e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjenen sanitare në terren”, shkruan Rama.