E-Diaspora

“Kanuni” nuk është gjakmarrja, ai është një monument juridik i kohës së vet

Prezantimi i përkthimit në gjermanisht të "Kanunit të Lekë Dukagjinit", të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih

Kanuni i Lekë Dukagjinit është njëri ndër kodet zakonore që kanë rregulluar funksionimin e jetës në shoqëritë shqiptare, që nga lashtësia. Por ai është i vetmi që, ndonëse shumë më vonë, falë punës së atit françeskan nga Kosova, Shtjefën Gjeçovit është kodifikuar dhe është në dispozicion në formë të shkruar. Pra, ai është botuar si libër, në vitin 1933 në Shkodër. Si i tillë, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” tashmë, veç origjinalit në gjuhën shqipe, është i botuar dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.

Së fundi, ai ka përjetuar edhe përkthimin e dytë në gjuhën gjermane, pas atij që ishte bërë që në vitet `30 të shekullit të kaluar.

Prezantimi i këtij përkthimi, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, në ambientet e Qendrës Kulturore të Kosovës, në Cyrih, shkruan albinfo.ch. Përveç përkthyesit Berisha, në prezantim ishte i pranishëm edhe botuesi, Martin Schällebaum, i cili ka pasur edhe rolin mbështetës në përkthimin në gjermanishte të kësaj lënde shumë komplekse.

Një vlerë e çmuar e kulturës shqiptare

Duke e konsideruar botimin e këtij libri në gjuhën gjermane si një kontribut për njohjen e një segmenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare, konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu ka falënderuar përkthyesin dhe botuesin. “Dalja në gjuhën gjermane e librit për kodin e dokeve zakonore shqiptare, bën që të tjerët të kenë mundësi ta njohin traditën tonë zakonore në histori. Deshëm ne ose nuk deshëm, etnopsikologjia jonë kolektive, ka qenë e karakterizuar nga cilësi dhe elemnte që rrjedhin nga e drejta kanunore. Madje ajo as sot nuk është krejtësisht e liruar nga ajo”, ka thënë Spahija. Kjo sepse, sipas tij, “Kanuni si libër, si kod zakonor shqiptar, me shekuj ka sunduar etnopsikoilogjinë tonë duke zëvendësuar fuqinë e ndikimit të shtetit”.

 

Autori i përkthimit, Bardhec Berisha ka sqaruar rrethanat në të cilat është bërë ky përkthim. Ai është ndalur në shpjegimin e shkakut përse ky libër është përkthyer së dyti gjermanisht, në një kohë që një përkthim tashmë ekzistonte prej vitesh. Berisha ka theksuar në këtë kontekst se përkthimi i mëparshëm, i para rreth 80 viteve, ishte i fjalëpërfjalshëm dhe i shkruar në një gjuhë të vështirë sidomos për lexuesit e sotshëm. Për më tepër, ka nënvizuar Berisha, para procesit të përkthimit, atij fillimisht i është dashur që me ndihmesën e profesorit Prend Buzhala ta “përkthente” Kanunin në gjuhën e sotme, standarde shqipe. Kjo punë është paraqitur e nevojshme pasi që gjuha e përdorur nga Gjeçovi, para rreth njëqind viteve është e vështirë për t`u kuptuar dhe përjetuar nga lexuesit e sotëm. Puna bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se shumë nga konceptet, nocionet dhe institucionet për të cilat bën fjalë kanuni, janë fare pak ose aspak të njohura për shqipfolësit e sotëm. Për t`ia dalë mbanë kësaj pune komplekse, ai ka pasur ndihmën edhe të ekspertëve të ndryshëm dhe në veçanti të profesorit nga Kosova, Prend Buzhala.

Kanuni nuk bën të reduktohet në gjakmarrjen

Bardhec Berisha ka përmendur po ashtu se ky përkthim është bërë me lejen gjegjësisht të drejtën autioriale që atij i ka dhënë Provinca Françeskane Shqiptare në Shkodër, e cila është trashëgimtare e kësaj të drejte. Ai ka tërhequr vërejtjen për gjykimet e padrejta që në publik i bëhen Kanunit, duke e reduktuar atë vetëm në gjakmarrjen ndërkohë që  “Kanuni i Lekë Dukagjinit” ka qenë shumë më shumë se kaq. Ai ka rregulluar shumë fusha të jetesës ndër shqiptarët, në mungesë të shtetit, ka thënë veç tjerash Bardhec Berisha.

Ndërsa botuesi Martin Schällebaum ka shpalosur para të pranishmëve punën e madhe disavjeçare që është bërë në përkthimin dhe përgatitjen për botim të këtij libri. Ai gjatë këtij procesi ka mësuar shumë për të drejtën zakonore shqiptare dhe ka zbuluar dimensione të reja të kësaj të drejte.

Real dhe racional për kohën

Për më tepër, Schallebaum ka konstatuar se një kod i tillë zakonor, që vjen nga poshtë lart dhe jo nga lart-poshtë (siç do të ishte po të vinte nga pushtetmbajtësit) është më realist dhe më i drejtë për kohën. Ai si i tillë u referohet problemeve nga përditshmëria dhe ofron zgjidhje racionale për to, në përputhje me kohën kur ky kod është krijuar.

Në këtë pikë Schällebaum ka vënë re se kode zakonore të ndërtuara “nga poshtë-lart” ka pasur edhe ndër popujt tjerë, madje edhe ndër zviceranët. Si ilustrim ai ka përmendur rregullimin e mënyrës së shfrytëzimit të kanalave të ujitjes (vadave) në zonat malore e të thata të Valisit. Kishte rregulla të veçanta që e rregullonin këtë çështje, siç kishte edhe njerëz të veçantë që merreshin me mirëmbajtjen e kanaleve në fjalë. Ndërsa e veçanta e Kanunit të Lekë Dukagjinit, në krahasim me kodet e përmendura në Zvicër e gjetiu, sipas Schällebaum është se ai përfshin gjithë spektrin e të drejtës, pra veç të drejtës civile në kuptimin e sotëm, edhe të drejtën penale, shkruan albinfo.ch. Ai ka folur po ashtu edhe për vështirësitë që shpesh dukeshin të pakapërcyeshme, gjatë përkthimit dhe përgatitjes për botim të librit. Fjala është për kompleksitetin e materjes së Kanunit dhe për mospasjen e elementëve krahasues në gjuhën gjermane dhe në praktikat e këtushme.

Gjatë mbrëmjes së promovimit, përkthyesi Bardhec Berisha ka lexuar në gjuhën shqipe disa pjesë të zgjedhura nga kanuni, për të sjellë atmosferën e këtij kodi i cili tashmë përbën një thesar të kulturës shqiptare. Të njëjtat pasazhe i ka lexuar, të përkthyera në gjuhën gjermane, Angela Keel, duke ofruar kështu një shije të asaj se si tingëllon “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i përkthyer gjermanisht.