Lajme

Kantoni i Gjenevës e bën të detyrueshme maskën edhe në dyqane

Me këtë vendim, Kantoni i Gjenevës u bashkohet kantoneve Vaud dhe Jura, të cilat kanë marrë tashmë një masë të tillë mbrojtjeje nga koronavirusi

Vënia e maskës do të jetë e detyrueshme në të gjitha shitoret në Kantonin e Gjenevës. Kjo masë, e cila hyn në fuqi të martën, është njoftuar sot nga Qeveria e Kantonit (Këshilli i Shtetit).

Me këtë vendim, Kantoni i Gjenevës u bashkohet kantoneve Vaud dhe Jura, të cilat kanë marrë tashmë një masë të tillë mbrojtjeje nga koronavirusi.

Njoftimin e kanë bërë publik Mauro Poggia, këshilltar shtetëror i ngarkuar me shëndetësinë, mjeku kantonal Jacques-André Romand dhe Adrien Bron, drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë, transmeton albinfo.ch.

Një rritje e konsiderueshme e rasteve me Covid-19, përfshirë këtu 46 veta vetëm këtë të premte, ka shtyrë Këshillin e Shtetit të vendosë masa të reja.

Nga e premtja në mbrëmje, ora 20.00, në lokalet ku konsumohet ushqim dhe pije (bare dhe klube të natës) punonjësve do t’u kërkohet të mbledhin të dhënat e identitetit të klientëve të tyre, përcjell albinfo.ch.

Ndërkaq në restorantet dhe të gjitha vendet ku mund të konsumohet, vënia e maskës tani është e detyrueshme për stafin.