Lajme

Kantoni i Cyrihut siguron fonde emergjente për rindërtimin në Izrael

Kantoni i Cyrihut ka premtuar 500,000 CHF (555,917 dollarë) për të mbijetuarit e sulmeve terroriste në Izrael dhe rindërtimin e fshatrave të prekura, teksa siç shkruan swissinfo.ch, paratë nga fondi i bamirësisë shkojnë në rajonin Eshkol.

Gjysmë milion franga zvicerane do të shkojnë për fondacionin izraelit Ha’Amuta Lekidum Toshevei Hevel Eshkol dhe me kontributin e tij, Kantoni i Cyrihut dëshiron të tregojë solidaritetin e tij me viktimat e sulmit terrorist, njoftoi të enjten këshilli i qeverisë kantonale, përcjell albinfo.ch.

Rajoni Eshkol, i cili ka një kufi të gjatë me Rripin e Gazës, u godit veçanërisht rëndë. Qindra banorë u vranë, u plagosën ose u rrëmbyen dhe praktikisht është shkatërruar infrastruktura e fshatrave të prekura në këtë rajon, i cili është i rëndësishëm për bujqësinë izraelite.

Ndryshe, fondacioni, i krijuar në vitin 2007, përdor paratë për të ushqyer dhe strehuar të mbijetuarit dhe për të rindërtuar shtëpi dhe biznese në mënyrë që prodhimi i ushqimit bujqësor të mund të vazhdojë.