Lajme

Kantonet frëngjishtfolëse nënshkruajnë kartën e barazisë gjinore

Kantonet frëngjishtfolëse të Zvicrës kanë nënshkruar sot në Lozanë një kartë që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkantonal për barazinë gjinore.

Nisma është pjesë e presidencës së kantonit Vaud të Konferencës “Romande des bureaux de l’égalité, 2023”.

“Vaud, Gjeneva, Valais, Fribourg, Neuchâtel, Jura dhe Berna e mirëpritën nënshkrimin e një karte për barazinë midis grave dhe burrave në Zvicrën frëngjishtfolëse si një moment historik”, u tha në deklaratën për media, shkruan swissinfo, përcjell albinfo.ch.

Karta i angazhon ata të “krijojnë një hapësirë për dialog strategjik që synon forcimin e punës për promovimin e barazisë, veçanërisht duke stimuluar bashkëpunimin ndërkantonal dhe shkëmbimin e praktikave të mira”.

Ndër fushat e parashikuara të veprimit janë paga e barabartë dhe dhuna në familje.

“E drejta themelore për barazi midis grave dhe burrave, e sanksionuar në Kushtetutë dhe në traktatet e ndryshme ndërkombëtare të nënshkruara nga Zvicra, ende nuk është realizuar plotësisht në praktikë. Kjo është arsyeja pse me këtë kartë duam t’i japim frymë të re politike kësaj çështjeje”, tha ministrja e Vaud, Isabelle Moret.