Integrimi

Kanë përdhunuar të miturat nën kërcënimin e revoles

Për krimin e bërë në qershor të vitit 2011 njëri kosovar qe dënuar me 12 dhe tjetri me 6 vjet heqje lirie. Tash, pas ankesës së tyre në Gjykatën e Kantonit të St. Gallenit po zhvillohet procesi i dytë

Gjykata e Qarkut Toggenburg ka dënuar kohë më parë dy të rinj, shtetas të Kosovës, për përdhunim të dy vajzave nën kërcënimin e revoles së mbushur. Për krimin e bërë në qershor të vitit 2011 njëri qe dënuar me 12 dhe tjetri me 6 vjet heqje lirie.

Gjykata e kantonit St. Gallen është duke e shqyrtuar sërish lëndën, pas ankesës së tyre se dënimet e shqiptuara nuk janë proporcionale me veprën e kryer.

I akuzuari kryesor, 28 vjeçar, në shkallën e parë të gjykimit e kishte mohuar veprën që i ngarkohej. Ndërkaq, në procesin që po zhvillohet tash në St. Gallen, ai është duke pranuar veprën në tërësi. Kosovari, baba i dy fëmijëve, thotë se pendohet shumë për atë që ka bërë. Ka shkatërruar jetën e viktimave por edhe të bashkëshortes dhe të fëmijëve të vet.

I akuzuari i dytë ndërkaq pohon se ai kishte pasur frikë se shoku i tij do të shtinte me revolen e mbushur. Ai ishte ndjerë edhe vetë i kërcënuar dhe vetëm për këtë shkak kishte marrë pjesë edhe ai në përdhunim.

Mbrojtësit e dy të dënuarve dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë e kanë konsideruar si pamasë të lartë. Ata me këtë rast kanë bërë krahasime me dënime të tjera për përdhunim, dukshëm më të ulëta se këto të klienteve të tyre.

Avokati i të akuzuarit kryesor ka thënë se klienti i tij është duke treguar pendim të thellë. Veç kësaj, sipas tij, pranimi i plotë i veprës duhet të konsiderohet si rrethanë lehtësuese për shqiptimin e dënimit. Për këtë arsye, sipas tij, një dënim me 8 vjet heqje lirie do të ishte adekuat me veprën.

Ndërsa avokati i të akuzuarit të dytë ka kërkuar 36 muaj burg për klientin e tij.

Nga ana e saj, prokurorja e lëndës i rekomandon gjykatës që të hedhë poshtë ankesën. Sipas saj. Ajo që ka ndodhur ka qenë një orgji brutale e përdhunimit, në kushtet kur dy adoleshentet kishin frikë nga vrasja. Njëra nga vajzat gjatë marrjes në pyetje kishte thënë se më mirë për të do të ishte të vdiste se sa të vazhdonte jetën pas përdhunimit që ka përjetuar. Prokurorja ka kërkuar 14 vjet heqje lirie për të akuzuarin kryesor.

Gjykata e Kantonit të St. Gallenit do ta shqiptojë gjatë ditëve të ardhshme vendimin lidhur me këtë rast.