Lajme

Hyjnë për të plaçkitur në një shtëpi: Arrestohen kosovari dhe slloveni

Patrullat e mobilizuara kanë arritur të ndalojnë njërin nga personat e përmendur para shtëpisë dhe tjetrin, brenda në shtëpi

Të dielën (6 prill 2025), pak pas orës 00:30 të mesnatës, ka ndodhur një sulm në një shtëpi të një familjeje në Georg-Rennerstrasse, në Wil.

Falë një informacioni të dhënë nga një banor fqinj, policia kantonale e St.Gallenit arriti të arrestojë dy autorë të dyshuar, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave fillestare, një 37-vjeçar me shtetësi sllovene dhe një shtetas kosovar 42-vjeçar ishin parë dukr lëvizur me veturën e tyre në afërsi të shtëpisë. Më pas ata kanë hyrë me forcë në shtëpi nga një derë.

Duke qenë brenda shtëpisë, ata kanë kontrolluar ambientet dhe kanë tentuar ndër të tjera të thyejnë një kasafortë, shkruan polizeinews.ch. Një banor vigjilent në lagje ka vënë re thyerjen dhe menjëherë ka lajmëruar qendrën e thirrjeve të urgjencës kantonale St.Gallen.

Menjëherë pas kësaj, patrullat e mobilizuara kanë arritur të ndalojnë njërin nga personat e përmendur para shtëpisë dhe tjetrin, brenda në shtëpi, me ndihmën e një qeni shërbimi.

Të dy autorët e dyshuar u arrestuan.

Prokuroria publike në kantonin St.Gallen ka nisur hetimet. Gjithashtu po shqyrtohet nëse këta persona janë përgjegjës për krime të tjera. Zyra përgjegjëse e migracionit shqyrton gjithashtu masat sipas ligjit të imigracionit.