E-Diaspora

Kandidati për deputet në Austri premton të angazhohet për viza pune sezonale për shqiptarët

„Shqiptarët do të votojnë për mua jo vetëm për shkak të miqësisë sime me ta, por edhe për shkak të lidhjeve miqësore shumëvjeçare të dy shteteve duke filluar nga Alois Mock e deri tek Sebastian Kurz“, tha Robert Berghammer për albinfo.ch

Prej vitit 2015 në qytetin Vöcklabruck të Austrisë është aktiv në politikë, anëtar i Partisë Popullore në Austri – ÖVP dhe asamblist në komunën e Vöcklabruck-ut. Robert Berghammer është një politikan i ri por shumë premtues për të ardhmen e politikës austriake. Aktivitete të shumta përgjatë këtyre viteve në qytetin e Vöckabruck-ut dhe rrethinë, sidomos në sektorin e shëndetësisë kanë bërë që Berghammer të fitojë përkrahjen e bashkëqytetarëve të tij por edhe të partisë, e në veçanti të  kryetarit të ÖVP-së, Sebastian Kurz për të konkurruar për deputet të Parlamentit të Austrisë.

Kështu, Robert Berghammer i ka hyrë garës për deputet në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 29 shtator. Ai, është i bindur në votën e qytetarëve të Austrisë së Epërme por pret vota edhe nga komuniteti shqiptar. Kjo në radhë të parë për arsye të miqësisë së madhe që ka krijuar tash e sa vite me shqiptarët.

„Po, unë do të jem në parlament dhe këtë e them duke besuar në votën e qytetarëve austriakë por edhe në përkrahjen e komunitetit shqiptar“, tha me bindje Robert Berghammer, ekskluzivisht për „albinfo.ch“. „Unë pres që nga këto zgjedhje të ketë një fitore të madhe të ÖVP-së. Pres që kandidati ynë për kancelar, Sebastian Kurz të korrë fitore të thellë dhe të vazhdojë angazhimin e tij aty ku ka mbetur. Po kështu, pres që populli austriak të më votojë mua që të mundem të realizoj premtimet që kam dhënë para qytetarëve“, tha Berghammer gjatë një takimi në Vjenë të Austrisë.

“Bashkë me mua në parlament do të jetë edhe Miftar Kastrati”

Ndër premtimet e tij për angazhimin si deputet në parlamentin e ardhshëm austriak, është se ai do të fokusohet në tri tema kryesore: Integrimin, shëndetësinë dhe ambientin. E, në këtë kontekst Berghammer premton se do të angazhohet që t’u mundësojë shqiptarëve viza pune sezonale në Austri, si p.sh. në: Bujqësi, turizëm apo përkujdesje shëndetësore. „Shqiptarët do të votojnë për mua jo vetëm për shkak të miqësisë sime me ta, por edhe për shkak të lidhjeve miqësore shumëvjeçare të dy shteteve duke filluar nga Alois Mock e deri tek Sebastian Kurz“, tha ai.

Gjatë bisedës me të, Robert Berghammer na tregoi edhe një arsye më shumë se pse shqiptarët duhet ta votojnë për të: „Nëse unë do të hy në Parlamentin e Austrisë, atëherë bashkë me mua do të jetë edhe miku dhe këshilltari im, shqiptari nga Kosova, Miftar Kastrati. Pra, bashkë me mua do të jetë edhe zëri i shqiptarëve“, u shpreh ai.

Pas takimit me Robert Berghammer, albinfo.ch kontaktoi edhe me Miftar Kastratin i cili pohoi fjalët e kandidatit për deputet. „Ne njihemi prej vitesh me Robertin. Ai është asamblist në komunën Vöcklabruck dhe ne bashkëpunojmë tash e pesë vite në shumë projekte në komunën e Vöcklabruck-ut dhe rajonit. Jam këshilltar personal i tij. Roberti është një djalë me një kulturë të lartë, është punëtor dhe profesionist i madh. Me hyrjen e tij në parlament, komuniteti shqiptar nuk do të ndihej i vetmuar sepse pas Robertit do të jem unë, dhe me anë të tij do të përcjellim të gjitha brengat dhe nevojat e komunitetit tonë në Austri”, theksoi Miftar Kastrati.

Për të po lobon një grup shqiptarësh

Në mbështetje të këtij kandidati është duke lobuar edhe një grup shqiptarësh nga Vjena. Niq Krasniqi, aktivist i njohur shqiptar nga Vjena theksoi se me zgjedhjen e Roberti Berghammer do të sigurohet një përfaqësim i mirë i komunitetit shqiptar në Parlamentin Austriak. “Me përkrahjen e z. Robert Berghammer në këto zgjedhje kemi zgjedhur një model më pragmatik për përfaqësimin dhe realizimin e interesave tona në zhvillimet politike përmes participimit aktiv në zgjedhje. Me zgjedhjen e Robertit ne do të kemi një derë të hapur në Parlamentin e Austrisë për kërkesat e komunitetit tonë dhe për bashkëpunimet me vendet prej të cilave e kemi origjinën. Përmes kësaj forme, ne mendojmë se do të ndërmarrim inciativa parlamentare për ndryshime të ligjeve, rregullave për të mirën e shqiptarëve në Austri dhe për marrëveshje të reja bilaterale me vendet e origjinës, në veçanti me Kosovën, për shkak të regjimit të vizave”, tha për “albinfo.ch”, Niq Krasniqi.

Zgjedhjet parlamentare në Austri do të mbahen më 29 shtator të këtij viti. Këto zgjedhje janë të parakohshme. Ato u bënë të domosdoshme pas publikimit të skandalit “Ibiza” të liderit djathtist, Heinz Christian Strache, i cili në video incizime dëgjohej teksa premton oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmojnë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Një derë e hapur në parlament, për shqiptarët

“Me përkrahjen e z. Robert Berghammer në këto zgjedhje kemi zgjedhur një model më pragmatik për përfaqësimin dhe realizimin e interesave tona në zhvillimet politike përmes participimit aktiv në zgjedhje. Me zgjedhjen e Robertit ne do të kemi një derë të hapur në Parlamentin e Austrisë për kërkesat e komunitetit tonë dhe për bashkëpunimet me vendet prej të cilave e kemi origjinën