Integrimi

Kandidatët me rrënjë migrimi nuk e kishin lehtë përballë vendësve

Isak Amza rezulton të ketë marrë më së shumti vota nga të gjithë kandidatët shqiptarë për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, gjithsej 3212.

Por, shqiptarit me origjinë nga Tetova nuk i mjaftuan votat për të siguruar një ulëse në legjislativin e Kantonit të Cyrihut. Amza është ndarë i kënaqur me rezultatin dhe fajin ia hedh sistemit zgjedhor që mbetet jashtë institucioneve.

„Njësia zgjedhore e Meilenit ka një strukturë mjaft homogjene të popullsisë dhe unë me rrënjë migrimi nuk e kam pasur edhe aq lehtë përballë kandidatëve vendës”, deklaron në një intervistë për albinfo.ch Isak Amza, kandidat i SP-së në zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Cyrih.

albinfo.ch: Si e shpjegon rezultatin e arritur në zgjedhje?

Isak Amza: Rezultati i zgjedhjeve të së dielës pasqyron raportet e zgjedhësve në kantonin e Cyrihut dhe në këtë drejtim unë jam relativisht i kënaqur me rezultatin. Karakteristike është edhe sistemi zgjedhor në Zvicër që nuk përjashton edhe partitë e vogla të participojnë në legjislativ. Pikërisht këtë e mundëson sistemi i ashtuquajtur “Proporcsistem” dhe një kandidat mund të zgjidhet me më pak se 2000 vota, kurse një tjetër me mbi 3000 vota ngel jashtë legjislativit!

albinfo.ch: A mendoni se keni pasur mbështetje edhe nga elektorati shqiptar?

Isak Amza: Gjithsesi, një numër i madh i shqiptarëve fuqishëm më kanë mbështetur, por potenciali votues shqiptar në njësinë time zgjedhore është më i madh se si e pasqyron rezultati zgjedhor. Prandaj, në të ardhmen gjithsesi duhet  të senzibilizohen edhe ata shqiptarë që nuk votojnë ta bëjnë atë.

albinfo.ch: Por, si duket interesimi i tyre për të votuar ka qenë i vogël. Ku mendon se ka ngecur puna?

Isak Amza: Edhe pse janë bërë përpjekje për mobilizimin e shqiptarëve, rezultatet treguan se nuk kemi arritur absolutisht t’i lëvizim që të gjithë
shqiptarët të shfrytëzojnë të drejtën qytetare të votimit. Arsyet janë nga
më të ndryshmet, por konkretisht nuk kam një përgjigje.

albinfo.ch: Me gjithë faktin se votat nuk të mjaftuan, ju keni arritur një numër të konsiderueshëm votash, me një diferencë të vogël nga ai që ka qenë
para jush?

Isak Amza: Po, është fakt se unë kam arritur një rezultat (3212 vota) mjaft solid për rrethanat që sundojnë në njësinë time zgjedhore. E them këtë kur dihet se njësia zgjedhore e Meilenit ka një strukturë mjaft homogjene të popullsisë dhe unë me rrënjë migrimi nuk e kam pasur edhe aq lehtë përballë kandidatëve vendës.

albinfo.ch: Si është ndarë partia jote, PS, në këto zgjedhje?

Isak Amza: Partia Socialdemokrate arriti që me Jacqueline Fehrin ta mbrojë postin e dytë të ministrit, kurse me Mario Fehrin korri një sukses absolut. Në legjislativ u rrit numri i votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara, që nënkupton një fitore relative.

albinfo,ch: Ka fituar më pak apo më shumë se në zgjedhjet e kaluara?

Isak Amza: Partia jonë arriti të fitojë një vend më shumë në Parlamentin e Zürichut. Ky është sukses, duke iu falënderuar angazhimit të gjithë kandidatëve. Gjithashtu është një tjetër fakt, që pas 12 vjetëve mundëm të shtojmë numrin e votuesve, respektivisht të parlamentarëve në legjislativin kantonal.

albinfo.ch: Si kanë qenë pritjet tuaja dhe si ka dalë rezultati?

Isak Amza: Pak a shumë rezultati shpreh pritjet e mia. Sepse në bazë të analizave korrekte që i kemi bërë paraprakisht, kemi konstatuar se popullata zvicerane voton sipas bindjeve politike.

albinfo.ch: Ju e provuat veten për herë të dytë në zgjedhje dhe dolët jo keq. Cili është hapi juaj i ardhshëm?

Isak Amza: Në fakt, hera e parë ka qenë garimi në nivelin komunal. Sa për hapat e ardhshëm momentalisht s’ mund t’ ju them asgjë konkretisht, përveç se do të vazhdoj të angazhohem politikisht për të mbrojtur të drejtat e shtresave të dobëta sociale.

Unë dëshiroj që edhe një herë të gjithë shqiptarëve, por edhe të tjerëve që më dhanë besimin në këto zgjedhje t’iu falënderohem përzemërsisht dhe ju lutem që të shfrytëzojnë të drejtën e votimit çdo here, sepse kështu bëheni pjesë e vendimmarrjes në shoqërinë zvicerane.