Lajme

Kampioni zviceran vjen nga Lozana, kungulli peshon 675 kilogramë

Simon Favre doli i pari me kungullin e tij gjigant në Kampionatin Zviceran të peshimit të kungujve dhe perimeve të vitit 2023, aktivitet në të cilin u shpërblyen me çmime edhe perime të tjera.

Pjesëmarrës të shumtë dërguan pjesë të të korrave të tyre në Bächlihof në Jona SG për të fituar garën për perimet më të rënda ose më të bukura, shkruan 20min.

Fokusi kryesor i kampionatit ishte peshimi i kungujve – këtë herë çmimi shkoi për Simon Favre nga Belmont-sûr-Lausanne nga Zvicra perëndimore.

Kungulli i tij gjigant peshonte 675 kilogramë duke e vendosur atë shumë përpara fituesit të vitit 2022, perimet e të cilit peshonin “vetëm” 499 kilogramë, përcjell albinfo.ch.

Këtë vit, çmimi i dytë shkoi për Alessio Muscas nga Graubünden: kungulli i tij i gjelbër peshonte 639.5 kilogramë.

Roman Mäder nga Walliswil-Wangen BE doli në vendin e tretë dhe pesha e kungullit të tij ishte 483.8 kilogramë, shumë prapa vendeve 1 dhe 2.

Rekordet e reja nuk u vendosën vetëm për kungujt, por edhe perimet e tjera magjepsën me peshën dhe madhësinë e tyre të konsiderueshme: një pjepër nga pjesëmarrësi M. Leuenberger peshonte 34,8 kilogramë të pabesueshëm, një kungull i njomë i tij peshonte 45,8 kilogramë – të dyja janë rekorde zvicerane.

Foto FB: Jucker Farm

Ndryshe, Kampionati Zviceran i peshimit të kungujve dhe perimeve zhvillohet çdo vit në Bächlihof.

Kungulli më i rëndë zviceran është peshuar deri më tani në vitin 2014 dhe peshonte 953.5 kg teksa rekordi aktual botëror është mbi 1200 kilogramë.

Mbarështuesit e kungujve kryqëzojnë farat e ekzemplarëve më të mëdhenj me njëri-tjetrin. Fara të tilla janë jashtëzakonisht të vlefshme dhe tregtohen në skenë për disa mijëra franga. Kushtet e motit luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në rritje: përzierja e duhur e diellit dhe ujit favorizon rritjen e perimeve gjigante.