Kosova

Kamberi ankohet për diskriminim e pozitë të vështirë të shqiptarëve në Luginë

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim deputetin e vetëm shqiptar nga Parlamenti i Serbisë, Shaip Kamberi, për të diskutuar pozitën e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët përjetojnë në Luginën e Preshevës.

Në vend të krijimit të hapësirës së nevojshme institucionale për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve, Serbia po gjeneron pengesa dhe vështirësi për ta, duke i kufizuar në këtë mënyrë për shkak të përkatësisë së tyre etnike, njofton Qeveria e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Deputeti Kamberi ka paraqitur 4 propozime që synojnë të krijojnë mekanizma ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Megjithatë, Parlamenti i Serbisë refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë jashtë rendit të ditës.

Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat, Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave dhe ndryshimin e Rregullores parlamentare.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi dhe ndërmarrjen e hapave për të adresuar shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Po ashtu, mbetemi të angazhuar maksimalisht dhe në zgjidhjen e çështjes së licencimit të mjekëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët punojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.