Lajme
Kamala Harris siguron mbështetjen e nevojshme për t’u bërë kandidate për presidente
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, siguroi mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente, përcjell albinfo.ch.
Një sondazh i agjencisë Associated Press, i publikuar mbrëmjen e së hënës, nxori në pah se Harris ka mbështetjen e më shumë se 1.976 delegatëve të nevojshëm për të fituar nominimin.
Votimi do të zhvillohet nga data 1 deri më 7 gusht, shkruan Radio Evropa e Lirë. Delegatët janë njerëzit që zgjidhen për të përfaqësuar zonën e tyre zgjedhore në Konventën Kombëtare Demokratike, ku formalisht shpallet kandidati për president.
Kjo konventë do t’i nisë punimet më 19 gusht dhe do t’i përfundojë në datën 22 të atij muaji.
Presidenti Joe Biden i dha mbështetje Harrisit për të garuar për presidente, pasi vetë ai u tërhoq nga gara për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit.
Biden mori vendimin më 21 korrik, pas shqetësimeve në rritje për moshën dhe shëndetin e tij, por u zotua se do të mbetet në detyrë deri në përfundimin e mandatit presidencial, më 20 janar të vitit 2025.
Pasi i dha mbështetje Harrisit, në fushatën e saj hynë miliona dollarë donacione, ndërsa përfaqësuesit kryesorë të Partisë Demokratike u rreshtuan, po ashtu, pas saj.
Nëse e fiton nominimin e partisë, Harris do të garojë në zgjedhjet e 5 nëntorit kundër kandidatit republikan dhe ish-presidentit Donald Trump.
“I kemi 106 ditë deri në ditën e zgjedhjeve dhe, gjatë kësaj periudhe, kemi një punë të vështirë për të bërë”, tha Harris para stafit të fushatës së saj në Uillmington të shtetit Dellauer.
“Fushata jonë ka qenë gjithmonë rreth dy versioneve të ndryshme të asaj që ne e shohim si të ardhmen e vendit tonë. Njëri fokusohet në të ardhmen, tjetri fokusohet në të kaluarën. Donald Trump dëshiron ta çojë vendin tonë prapa… Ne besojmë në një të ardhme më të ndritshme, që u bën vend të gjithë amerikanëve”, tha Harris, e cila përpara se të shërbente si nënpresidente, ishte prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe senatore.
Komenteve të saj iu përgjigj fushata e Trumpit. Sekretarja për media, Karoline Leavitt, tha se Harris “është po aq e paaftë sa Joe Biden, e madje edhe më liberale”.
“Kamala, jo vetëm që duhet ta mbrojë mbështetjen e saj për agjendën e dështuar të Joe Bidenit gjatë katër vjetëve të fundit, por, gjithashtu, duhet të përgjigjet për rekordin e saj tmerrësisht të dobët ndaj krimit në Kaliforni”, tha Leavitt.
Harris, 59 vjeçe, përshkroi disa politika që tha se do t’i ndjekë nëse zgjidhet presidente, përfshirë nënshkrimin e ligjeve për të mbrojtur të drejtat e abortit dhe ndalimin e pushkëve të sulmit.
Ajo tha se rindërtimin e klasës së mesme do ta nxjerrë në fokus të presidencës së saj.
Harris, gjithashtu, vuri në dukje arritjet e presidentit Biden, duke thënë se shërbimi i saj si zëvendëse e tij ka qenë “një nga nderet më të mëdha të jetës sime”.
“Unë e dua Joe Bidenin dhe e di që të gjithë e duam”, tha Harris.
Ueb-faqja e lajmeve The Hill raporton se një total prej 72 sondazhesh e nxjerrin Trumpin në epërsi kundrejt Harrisit me rreth 2.5 për qind më shumë mbështetje.
Por, analistët politikë thonë se Harris nuk është ende aq e njohur nga publiku dhe mund të fitojë në sondazhe, pasi të bëjë fushatë intensive në gjithë vendin dhe të ketë më shumë mbulim mediatik.
E-Diaspora
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Baseli për në Prishtinë Mërgimtarët pasi u “rehatuan” në aeroplan u desht të presin 5 orë për tu nisur, në...
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
Jeta në Zvicër
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Baseli për në Prishtinë Mërgimtarët pasi u “rehatuan” në aeroplan u desht të presin 5 orë për tu nisur, në...
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025