Kosova

Kallas për dialogun: Marrëveshja e Ohrit, bazë për normalizim raportesh

Përfaqësuesja e re e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka thënë se e vetmja rrugë për anëtarësim në BE për Kosovën dhe Serbinë është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, me bazë në Marrëveshjen e Ohrit.

Ajo ka thënë se duhet bashkëpunim për zbulim të sulmit të fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.
“I takova presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Kallas të martën në “X”, pas takimeve të ndara me liderët e Kosovës dhe të Serbisë.
Ishin takimet e para të Kallasit me Kurtin e Vuçiqin, që prej se ajo mori rolin e ri.

Pas takimeve, Kurti ka thënë se ka insistuar në zbatim të Marrëveshjes, ndërsa është shprehur optimist se Kallasi është në kohën dhe vendin e duhur. Kurti ka kërkuar po ashtu që Serbia ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës, si organizator për sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ndërsa Vuçiqi është shprehur se ka pasur bisedë “jo të lehtë me Kallasin”. Në takim, përfaqësuesja e re ka kërkuar nga Serbia që të zgjidhet rasti i Banjskës dhe që t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë.
Kosova e Serbia arritën marrëveshje më 2023, në atë që shihet si rrugë drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja njihet si ajo e Ohrit. Edhe pse Kosova insiston në nënshkrime, Brukseli e konsideron si marrëveshje obligative. Megjithatë ajo s’është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë.

Ndër të tjera, Marrëveshja parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore. Kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme.
Megjithatë, pas refuzimit të Serbisë për zbatim dhe një letre të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në të cilën u tha se s’do të zbatohen disa pjesë – Kurti ka refuzuar në qershor takim me Vuçiqin. Ai vendosi tri kushte: që të tërhiqet kjo letër, që të dorëzohet Radoiçiqi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve.