Lajme

Kalkulime politike rreth deputetëve nga diaspora

Me ndryshimet e fundit, 3 nga 123 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë zgjidhen në diasporë

Opozita në Maqedoni, kërkon që në kuadër të ndryshimeve në kodin zgjedhor të ndryshohet edhe mënyra e votimit të diasporës, apo që vota e tyre të jetë e barabartë me atë të shtetasve që votojnë në Maqedoni.

Me ndryshimet e fundit, 3 nga 123 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë zgjidhen në diasporë, një nga shtetasit që jetojnë në SHBA, Kanada dhe shtetet tjera të kontinetit amerikan, një nga Australia dhe shtetet tjera aziatike dhe deputeti i tretë nga Evropa.

Por, zgjedhja e nuk është e njejtë me deputetët e tjerë të Kuvendit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Deputët e diasporës janë zgjedhur madje me vetëm disa qindra vota, për dallim nga deputetët e tjera për zgjedhjen e të cilëve nevojitën deri në 7-8 mijë vota.

Veç këtij fakti, kërkesa e opozitës kontestohet edhe për shkak të ndikimit të VMRO-së së kryeministrit, Nikolla Gruevski tek diaspora e cila në dy ciklet e fundit zgjedhore ka fituar tre vendet e deputetëve dhe bazuar në relacionet e tanishme, LSDM-ja dyshon se pikërisht këta tre deputet mund të luajnë rol të rendësishëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në takimet e grupeve punuese LSDM kërkon anulimin e votimit të diasporës deri në zgjidhjen përfundimtare të modelit, por pa i mohuar mërgimtarëve të drejtën e votës në Maqedoni, nëse duan të votojnë.

Por, kërkesa për përjashtimin e diasporës nga votimi është kundërshtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski.

“Diaspora është pjesë e pandashme e indit maqedonas dhe mbështetese e fuqishme e të gjitha proceseve. Ajo është donatore e qytetarëve përmes formave të ndryshme, pra ajo është pjesë e tërësisë sonë edhe pse për shkaqe të ndryshme mërgimtarët janë shpërngulur dhe jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës”.

“Pjesa më e madhe e tyre me zemër e shpirt janë të lidhur me Maqedoninë duke dhënë kontributrin e tyre në zhvillimin e vendit”, ka deklaruar Gruevski.

Nga ana tjetër, organizatat që merren me monitorimin e proceseve zgjedhore propozojnë pezullimin e zgjedhjes së deputëteve nga diaspora, të paktën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të prillit të vitit të ardhshëm. Ato thonë se pa një studim të mirë të votimit të diasporës nuk mund të flitet për proces demokratik zgjedhor i cili në vazhdimësi është keqpërdorur për qëllime politike.

Për shkak të numrit shumë të vogël të votuesve në diasporë, nga organizata “Most”, kanë dalë me propozimin që të mos ketë deputet nga diaspora, por shtetasit të mund të votojnë për listat që hartohen në Maqedoni që të gjithë të jenë të barabartë në zgjedhjen e deputetëve të ardhshëm.

“Nëse pranohet një model i tillë, vota në diasporë dhe Maqedoni do të kishte peshën e njejtë, pra shtetasve në diasporë nuk do t’i hiqej e drejta e votës pasi ata do të votonin për listat që hartohen brenda vendit”, thotë Teodora Popovska nga organizata “Most”.

Albert Musliu nga Iniciativa Demokratike dhe njohës i çështjve politike thotë se pas gjithë debatit për deputetët e diasporës, fshihen qëllime politike dhe jo ndonjë përkushtim për t’i mundësuar atyre të drejtës e votës.

“Mendoj se i gjithë ky debat nuk është i sinqertë pasi po bëhen kalkulime politike për përfitimin e vendeve të deputetëve. Gjithsesi se çdo shtetasi të Maqedonisë duhet ti mundësohet e drejta e votës, por për këtë duhet të zgjidhet edhe modeli adekuat”.

“Nuk duhet të përsëritet situata që e kemi aktualisht që votat e atyre që jetojnë jashtë vendit të jenë më të vlefshme se të atyre që jetojnë brenda vendit. Unë jam për atë që diaspora të mund të votojë, por me kusht që Maqedonia të bëhet një njësi zgjedhore me qëllim që çdo votë të ketë peshën e njejtë”, thotë Musliu.