Integrimi

Kadire Idrizi kërkon votën tuaj për mbikëqyrëse shkollash

Kandidate serioze për këtë post është bashkatdhetarja jonë Kadire Idrizi, me prejardhje nga Tetova, me profesion pedagoge

Këtë të diel, më 22 nëntor në qarkun numër 9 të Cyrihut mbahen zgjedhjet për mbikëqyrësin e shkollave të këtij qarku. Kandidate serioze për këtë post është bashkatdhetarja jonë Kadire Idrizi,  me profesion pedagoge.

“Unë kandidoj për postin mbikëqyrëse dhe këshilltare e shkollave në Kreis (qarkun) 9. Më konkretisht detyra e mbikëqyrjes nënkupton përkrahjen e drejtorëve të shkollave, mesuesve dhe prindërve. Faktikisht, mbikëqyrësi shërben si urë lidhëse në mes drejtorëve mësuesve dhe prindërve. Po ashtu ky post rishqyrton edhe planin e shkollës, zhvillimin shkollor, infrastrukturën, kualitetin, përfaqësimin e shkollës nga jashtë etj. Ky post mbulon edhe shumë detyra të tjera, që do të ndahen në mes të anëtarëve të Komisionit brenda të cilit do të bashkpunojmë”, thotë znj. Idrizi,  me të cilën albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë.

Ky post është post politik, për të cilin mbahen zgjedhje ku partitë kandidojnë aktivistët e tyre. Dhe, Kadire Idrizi është kandidate e Partisë Socialemokrate (SP).

“Nuk është se jam marrë një kohë të gjatë me politikë. Gati një vit jam anëtare e SP-së dhe normalisht kam ndihmuar në zgjedhjet kantonale (Kantonsrat) dhe nacionale (Nationalratswahlen). Mirëpo këtë vit u lirua një vend në mbikëqyrje të shkollave (Schulpflege) dhe më ofruan që të kandidoj unë, pasi që i përkas kësaj fushe”.

Por, çka mund të presin votuesit me prejardhje shqiptare nëse Kadire Idrizi do të zgjidhet në këtë post?

“Ata do të kenë disa përparësi. Sepse, në radhë të parë nga përvojat që kam, unë do t`i kuptoj bashkatdhetarët e mi më mirë se të tjerët. Këtu hyn njohja e gjuhës por edhe e vlerave që na dallojnë”, thotë ajo për albinfo.ch. Pastaj njohja e kërkesave të sistemit shkollor të Zvicrës dhe atyre të vendlindjes sonë etj. E gjithë kjo mendoj se është një lehtësim për të gjithë; dmth. Një „win win situation”, edhe për zviceranët edhe për shqiptarët. Po ashtu edhe nga profesioni si pedagoge e shkollës kam përvojë të mirëfilltë”.

Ndërsa lidhur me konkurrencën, znj. Idrizi thotë se ka një kundërkandidat. Ai është kandidat i pavarur dmth jopartiak. “Edhe pse kam përkrahjen e të gjithave partive, nga SP, CVP, FDP e deri te SVP, unë e shoh kundërkandidatin si një konkurrent të fortë. Kjo për vetë faktin se ai është vendës kurse unë jam e ardhur këtu. Këtu dhe është arsyja e fushatës, prandaj kërkoj përkrahjen e komunitetit shqiptar”, thotë kandidatja Idrizi.

Ajo e sheh të udhës të njohë votuesit e sj potencialë me mënyrën e votimit. “Zakonishte fletëvotimet ju dërgohen të gjithëve qytetarëve me të drëjtë vote në kutitë postare nëpër shtëpi. Në zarf, përveç të tjerave është edhe një fletë votim për “Kreisschulpflege”, ku janë të shkruar emrat e dy kandidatëve. Votuesve u duhet që në hapësirën e duhur të shkruajnë emrin dhe mbiemrin e kanditatit që dëshirojnë ta votojnë.

Po ashtu edhe ata që e kanë hedhur letrën, kanë mundësi që deri te premtën në zyrën e lagjes së vendbanimit të marrin një fletëvotim të ri, sqaron ajo. “Ndërsa ata që ende nuk kanë votuar dhe i kanë fletëvotimet në shtëpi, mund të konsultojnë këtë link dhe të veprojnë sipas tij: https://www.stadt zuerich.ch/portal/de/index/politik_u_recht/abstimmungen_u_wahlen/stimmlokale/kr_9.html

 

Kush është Kadire Idrizi

Kadire Idrizi ka ardhur në Zvicër në vitin 1991, në moshën 14 vjeçare, si bashkim familjar. “Këtu kam përsëritur klasën e gjashtë dhe të shtatë, nivelin e Sek. A. Pastaj vazhdova shkollën profesionale për asistente të farmacisë (Pharma-Assistentin) për disa vite. Pas një periudhe disavjeçare vendosa ta ndërroja profesionin dhe fillova studimet në shkollën e lartë të punëve sociale FHNW në Olten. Mirëpo paraprakisht u desh të marr maturën sikundër e kërkon ligji në Zvicër. Gjatë studimeve u specializova në degën “Fëmijëria, rinia dhe Emigracioni” (Kindheit und Jugend und Migration). Ndërkohë absolvova dy praktika: një në Departamentin Social të qytetit të Cyrihut si menaxhere e konflikteve dhe tjetrën në Londër, me fëmijët me të meta mentale. Tash punoj ende në Departementin Social të Cyrihut si menaxhere e konflikteve dhe po ashtu si punëtore sociale në shkollat fillore dhe entet parashkollore të Spreitenbach-ut”.