Integrimi
Ju duhet të identifikoheni
Florim Cuculi (34 vjeç), kardiolog në Spitalin kantonal të Lucernit, deklarohet shpeshherë lidhur me situatën e popullatës me prejardhje shqiptare që jeton në Zvicër. Ai ka ardhur në Zvicër në vitin 1992 me prindërit dhe nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht. Shumë shpejt e kuptoi se arsimimi i mirë është rruga më e mirë për pranimin në shoqëri. Cuculi ka studiuar mjekësinë, veç tjerash edhe në Bazel. Ai ka shkruar për TagesWoche një analizë shumë personale rreth problemeve të imigrantëve kosovarë në Zvicër.
Për ftesën që mu bë për ta shkruar këtë artikull unë i detyrohem faktit se në Zvicër nuk po shkon çdo gjë si është më së miri puna me integrimin e popullatës shqipfolëse. Kjo, mjerisht nuk është dhe aq ndjenjë e gëzuar dhe në fakt do të kisha më shumë dëshirë që kurrë të mos kishte një motiv për të shkruar lidhur me këtë temë.
Për fillim ndoshta duhet sqaruar nocionin “shqiptar” (Albaner), i cili reflekton karakterin e historisë së Ballkanit. Shqiptarët në Ballkan janë të ndarë në disa shtete: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbinë e jugut. Shumica e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, vijnë ose nga Kosova ose nga Maqedonia.
Xherdan Shaqiri (një shqiptar me prejardhje nga Kosova) sapo ka nënshkruar me Bajernin e Munihut dhe unë shpresoj që ai të të ketë shumë sukses atje. Është e vetëkuptueshme që një Xherdan Shaqiri, për imazhin e dëmtuar të shqiptarëve ka vlerë ari. Shumica e shqiptarëve në Zvicër tash jeton në brezin e dytë ose të tretë këtu, dhe ka shumë rëndësi që këta njerëz të identifikohen me Zvicrën. Po të bëhej një sondazh me shqiptarët nën moshën 16 vjeçare, të lindur në Zvicër, unë jam i bindur se shumica e tyre nuk do të deklaroheshin si zviceranë. Dhe kjo është tragjike! Unë e shoh këtu njërin ndër problemet kryesore të integrimit. Sepse, si mund të integrohesh në një vend nëse nuk identifikohesh me atë vend?
Për mua, konceptet: shqiptar dhe zviceran nuk përjashtojnë njëri tjetrin, përkundrazi. Duhet të jetë e mundur që në vitin 2012 në Zvicër , të dy identitetet të jetojnë në një dozim optimal së bashku. Në të kundërtën, konceptin “krenar me prejardhjen” në këtë kontekst unë e kuptoj si të pakuptimtë, sepse sipas mendimit tim njeriu duhet të jetë krenar vetëm me atë që e ka arritur vetë.
Arsimimi – shansi i madh
Ka shumë rëndësi që të gjithë imigrantëve në Zvicër tu tregohet se fakti që ata jetojnë në Zvicër është një fat i madh për ta. Ky është vendi në të cilin mund të arsimohesh pothuaj falas. Unë kam jetuar në dy vitet e gjysmë të fundit në Britaninë e Madhe, ku të pasurit i çojnë fëmijët e tyre në shkolla private. Kam përjetuar po ashtu se si qeveria konservative e David Cameronit i ka ngritur në mënyrë drastike çmimet për studime. Dhe kjo e vështirëson qasjen në arsimimin e lartë.
Në Zvicër nuk ndodh kjo. Unë, si fëmijë i të huajsh, me kushte shumë modeste jetese, ia kam dalë të studioj në këtë vend pa pasur nevojë që prindërit e mi të shkatërrohen financiarisht. Ky është një shans enorm. Duhet motivuar të rinjtë që të përfitojnë nga qasja e lehtë e mundësive për arsimim në këtë vend. Sepse është e qartë se njerëzit e arsimuar munden të integrohen dukshëm më lehtë. Po kështu është edhe në interesin e Zvicrës që arsimimi të depërtojë deri te këto shtresa të popullsisë – dhe kur unë shikoj rreth meje, bindem se është kështu.
Rrahjet, deliktet në trafik
Afërisht në të njëjtën kohë me transferin e Shaqirit në FC Bayern, në Cyrih ndodhi procesi kundër një shqiptari që kishte vrarë të dashurën e tij. Unë nuk i di detajet, por përse ky i ri fare duhej të kishte revole? Përse sërish shqiptarë të rinj (meshkuj) përfshihen në rrahje që herë herë përfundojnë keq? Përse në shumë delikte trafiku janë të involvuar shqiptarët? Nuk ia vlen që këto fakte të tabuizohen. Unë jam mjek dhe prandaj ky tekst është një qëndrim imin personal dhe jo një trajtesë sociologjike. Mirëpo unë jam i bindur se diçka me edukimin nuk po shkon mirë.
Prindërit duhet patjetër të marrin obligime, sepse nuk bën që t`i sjellësh fëmijët në këtë botë dhe pastaj t`ua lësh ata vetes. Duhet filluar shumë herët dhe nuk duhet të ndodhë, që fjala vjen, prindërit të mos shkojnë në mbledhjet prindërore të fëmijëve të tyre. Mbase nuk është e këshillueshme që fëmijës, posa t`i mbush 18 vjetët, prindërit t`i blejnë veturë të shpejtë, me të cilën pastaj rrezikon veten dhe të tjerët në rrugë. Unë, për fat të keq nuk kam ndonjë recept, dhe situata është së tepërmi e komplikuar për t`u zgjidhur me një recept të thjeshtë. Prindërit shqiptarë duhet të shohin se shumëçka po ec mbrapsht.
A duhet të bëjë diçka shteti?
Integrimi nuk është rrugë njëkatëshe. Vazhdimisht mund të lexosh se si thuhet se disa të huaj nuk dëshirojnë të integrohen. Unë kam përshtypjen se ngandonjëherë aftësia për integrim e këtyre njerëzve po mbivlerësohet.
Sigurisht, shqiptarët e arsimuar integrohen në mënyrë automatike dhe nuk u duhet ndihma e shtetit. Mirëpo fatkeqësisht gjendja është e tillë që shumica nuk janë të arsimuar dhe në këtë kuptim, e kanë më të vështirë integrimin. Në këto raste shteti mund të ndihmojë me mbështetjen e tij.
Nëse integrimi i këtyre njerëzve dëshirohet seriozisht, atëherë duhet siguruar që të mos ketë diskriminim. Kjo fillon nga kërkimi i banesës dhe shkon më tutrje te kërkimin i vendit për mësim të zanatit. Zviceranët e rinj me rrënjë shqiptare nuk bën të rriten me ndjenjën se janë të padëshiruar në këtë vend.
Në Angli aplikohen kuotat për të pakicat, që mund të ishte një zgjidhje. Kuotat kanë paksa lidhje me detyrimin dhe detyrimi, në afate më të gjata është rrallëherë një shoqërues i mirë.
Mjeti më i mirë për integrim është gjuha. Këtu duhet të jemi realistë. Njerëzit që jetojnë këtu qe 20 vite dhe nuk kanë mësuar gjermanishten, nuk pritet që do ta mësojnë atë ndonjëherë me të vërtetë. Kjo edhe nuk është tragjike. Ne duhet ta orientojmë shikimin tonë te ata që, për shembull vijnë në Zvicër përmes bashkimit familjar . Unë jam absolutisht për atë që njohja e gjermanishtes të bëhet kusht për dhënien e lejes së qëndrimit për ta.
Ardhmëria
Kur Zvicra, vitin e kaluar në Wembley nxori një barazim të jashtëzakonshëm në ndeshjen me Anglinë, për Zvicrën luanin gjithsej pesë zviceranë shqiptarë: Granit Xhaka, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe pastaj, si zëvendësim edhe Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi. Unë kisha në stadium dhe së bashku me 10.000 zviceranët tjerë kam skanduar: “Hopp Schwiiz”.
Por, këto momente gëzimi nuk e pasqyrojnë përditshmërinë dhe është me rënduesi që ne, zviceranët me rrënjë shqiptare të jemi bindës gjatë kësaj përditshmërie. Njëkohësisht shpresoj se në të ardhmen, të vlerësohet më shumë rëndësia e individit dhe jo prejardhja. Unë kam dy djem të lindur para tre muajsh në Oksford. Shpresoj që ata nuk do të kenë nevojë të arsyetohen për prejardhjen e babait të tyre. Ose (edhe shumë më keq) të turpërohen.
* Shkrimi botohet në albinfo.ch me pëlqimin e autorit
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor