Integrimi
Jolegjitimiteti i një Kuvendi*
“Kuvendi Shqiptar në Zvicër” nuk ka dalë nga vullneti demokratik i shumicës së shqiptarëve në Zvicër. Si i tillë është jolegjitim dhe nuk duhet të përkrahet nga institucionet shtetërore të Zvicrës apo Kosovës”
Është krejt normale që një iniciativë apo një projekt i caktuar që lidhet me interesin e përbashkët të një shoqërie apo të një komuniteti të dalë nga një individ apo iniciativë qytetare. Sa më shumë të ketë projekte, nisma apo ide që shkojnë në favor të një organizimi sa më të mirë institucional, aq më e shëndetshme është një shoqëri e mirëfilltë demokratike. Mirëpo iniciuesit, kushdo qofshin ata, gjithnjë duhet pasur parasysh faktin se nismat e tilla mund të realizohen dhe të fitojnë legjitimitet demokratik vetëm nëse arrijnë të marrin përkrahjen e shumicës përmes votës së lirë, duke filluar nga baza e deri tek organet më të larta. E keqja më e madhe është se në shumë raste për shkak të ambicieve personale apo grupeve të interesit, nismat e mira, mbase të domosdoshme si në rastin konkret për komunitetin shqiptar në Zvicër, po dështojnë pikërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme dhe veçmas për shkak të ambicieve personale. Në këso rastesh krijohet përshtypja sikur dikush nga projektuesit apo bartësit e një ideje nuk e ka hallin e një organizimi sa më të mirë të komunitetit shqiptar në Zvicër, por thjeshtë duke u thirrur në numrin e madh të shqiptarëve apo të ndonjë shoqate të sajuar t’i realizojë ambiciet personale duke u fshehur prapa një grupi të vogël njerëzish vullnetmirë, të cilët përpos vetes, nuk përfaqësojnë askënd tjetë
E keqja më e madhe qëndron në faktin se individë të ndryshëm mediokër, shpesh të dështuar edhe në profesionin e tyre, duke u frikësuar nga konkurrenca e ndershme e ideve, mënyra e veprimit legal e demokratik, përpiqen të sajojnë subjekte të cilat përveç emrit të madh nuk kanë asnjë ndikim tjetër në komunitetin shqiptar. Kjo është për të ardhur keq sepse pikërisht për shkak të ambicieve personale dhe veprimeve jodemokratike, ka dështuar së fundmi edhe Kuvendi Shqiptar në Zvicër, një ide kjo e mrekullueshme të cilën kohë më parë e kam përkrahur publikisht përmes një opinioni të botuar në Albinfo.ch.
Aq më tepër kur kjo ide ka ardhur nga miqtë zviceranë si një nevojë e domosdoshme për të krijuar një institucion serioz të shqiptarëve, i cili vërtetë do t`i përfaqësonte dhe mbronte interesat e tyre në mënyrë të denjë.
Kuvendi Shqiptar në Zvicër është shembulli më i mirë dhe më i freskët se si mund të mbytet një nismë e mirë që në hapat e parë të lindjes, pikërisht për shkak të mungesës së frymës demokratike dhe veprimeve subjektive të «strategëve» të cilët të prirur nga ide të vjetra “moniste” që në hapat e parë kanë emëruar në Këshillin Organizativ njerëz sipas diktatit dhe pa ndonjë debat paraprak publik.
Vetëm ambiciozët që të mos them vetëm “naivët” më të mëdhenj mund të mendojnë të themelojnë diçka të përbashkët, siç mund të jetë Kuvendi Shqiptar në Zvicër, pa shqiptarët, pa ndonjë debat paraprak, apo duke injoruar të gjitha subjektet ekzistuese. Të injorosh subjektet ekzistuese, do të thotë ta mohosh me vetëdije vullnetin, mundin, sakrificën, kontributin dhe veprën patriotike të mijëra veprimtarëve shqiptarë. Thënë ndryshe t’i injorosh subjektet ekzistuese shqiptare është njësoj sikur të përpiqesh në mënyrën më të pandershme ta korrësh arën e mbjellë nga dikush tjetër. Mungesa e debatit paraprak dhe pastaj në vazhdim me përfaqësues të subjekteve shqiptare, me intelektualë të njohur dhe të pavarur, me veprimtarë të devotshëm, me gazetarë e publicistë të shumtë, me poetë e shkrimtarë të shumtë, me përfaqësues të komuniteteve fetare, të shoqatave dhe klubeve të shumta kulturore e sportive, me ekspert të fushave të ndryshme sociale e integruese, e pse jo edhe me përfaqësues të subjekteve politike, ka qenë goditja më e rëndë që i është bërë një ideje të mrekullueshme qysh në hapat e parë nga vetë bartësit e saj. Në këtë mënyrë janë bërë përpjekje për ndërtimin e një shtëpie pa themel, gjë që është e pamundur. Askush nuk duhet të pretendojë të themelojë një Kuvend Shqiptar në Zvicër, pa themelimin e një baze të mirëfilltë organizative në të gjitha qytetet më të mëdha të Zvicrës dhe njëkohësisht pa aprovimin dhe publikimin e programit të këtij Kuvendit Shqiptar. Ky nxitim dhe kjo mënyrë antidemokratike e veprimit në një vend me traditë të lashtë demokratike lë shumë për të dëshiruar. Besoj se «strategët» e kësaj ideje nuk janë aq naiv , së paku ashtu siç po sillen në praktikë, sa të përpiqen t`i imponojnë shumicës së shqiptarëve, ambiciet e pakicës, apo «interesat» e një klani të caktuar individësh, duke nxjerrë në plan të parë interesat e ngushta personale.
Pikërisht për këto arsye dhe arsye tjera nga të cilat po kursehem kësaj radhe, kanë dështuar të ashtuquajturat «Kuvende Regjionale» në të cilat janë zgjedhur «delegatë» më shumë se sa që ka pasur njerëz të pranishëm. Edhe indiferentët më të mëdhenj ndaj çështjeve organizative, fare lehtë kanë mundur ta vërejnë qëllimin subjektiv e klanor të bartësve të kësaj ideje. Për të qenë ironia edhe më e madhe «strategët» e vetëzgjedhur përpiqen të justifikojnë veprimet e tilla me gjoja ftesat publike që kanë bërë përmes ndonjë portali informativ.
Një propagandë e tillë në të vërtetë është një arsye më shumë të dyshohet në sinqeritetin e tyre. Justifikimi i tyre në këtë mënyrë është tepër qesharak dhe shumë i lexueshëm brenda rreshtave. Këto ftesa formale vetëm sa kanë shkaktuar nervozë tek opinioni, kur paraprakisht është injoruar në mënyrën më të keqe të mundshme çdo formë tjetër demokratike e bashkëpunimit dhe konsolidimit të bazës së përbashkët themeluese anë e mbanë Zvicrës. Një propagandë e tillë që është orkestruar nga «strategët» e ndryshëm, që në hapat e parë është marrë me rezervë nga opinioni dhe është dyshuar me të drejtë në sinqeritetin e bartësve të kësaj ideje nëse vërtetë kanë pasur për qëllim të bëjnë diçka të mirë e të qëndrueshme, ku vërtetë mund të vijë në shprehje vullneti i shumicës së shqiptarëve, apo vetëm të sajojnë diçka sa për të krijuar një «bazë ligjore», duke shpresuar në thithjen e fondeve!
Në këtë rast nuk dua në asnjë mënyrë të keqkuptohem, madje kërkoj falje paraprakisht për çdo keqkuptim të mundshëm nga ata që janë emëruar atëherë në Këshillin Organizativ dhe tani në Kryesinë e «Kuvendit Shqiptar në Zvicër». Veçmas nuk dua të keqkuptohem nga intelektualët e rinj për të cilët kam respekt të madh dhe e çmoj së tepërmi kontributin e tyre personal.
Jam i sigurt edhe sikur Kuvendi Shqiptar në Zvicër të ishte themeluar në rrugë krejt demokratike dhe legale, kjo gjeneratë duhet do ta kishte vendin në krye të komunitetit. Por mendoj se në këtë mënyrë do të ishte legjitime dhe shumë më e fortë dhe e mbështetur nga shumica e shqiptarëve. Kështu si është tani, ka rrezik të lodhet shpejt në mungesë të përkrahjes morale dhe financiare. Aq më tepër do të ketë mundësi të zhgënjehet nga qëllimet ogurzeza të individëve të cilët përpiqen të mbijetojnë në emër të punës dhe autoritetit të kësaj gjenerate të artë. E «keqja» e kuvendit i ka ardhur nga individë që përpiqen të luajnë rolin e suflerit nga prapaskena dhe kjo gjë një ditë dosido të vërehet edhe nga intelektualët e rinj që i kanë hyrë punës me qëllimin më të mirë.
Veprimet skandaloze të individëve që veprojnë nga prapaskena, duke u thirrur në emër të shqiptarëve të Zvicër, jo vetëm që nuk i ndihmojnë, por i dëmtojnë së tepërmi interesat e tyre, pasi që në këtë mënyrë shpërfillet vullneti demokratik. Pastaj sigurisht që do të ketë mundësi të mëdha manipulimi, sepse përmes organizimeve të tilla individuale apo klanore me «përfaqësues» të vetëzgjedhur e me emra të mëdhenj, ku puqen interesa të ndryshme, nuk ka mundësi reale të kontrollohen veprimet e tyre dhe keqpërdorimet e mundshme. Organizimet e vetëzgjedhura që nuk kanë bazë deleguese, realisht janë të paqëndrueshme dhe aesesi nuk kanë legjitimitet demokratik. Si të tilla nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komunitetit shqiptar, nuk kanë të drejtë të flasin në emër të gjithë shqiptarëve dhe assesi nuk duhet të përkrahen nga institucionet shtetërore të Zvicrës apo Kosovës.
Aktualisht të drejtë legjitime të flasin në emër të komunitetit shqiptar kanë vetëm institucionet demokratike shtetërore siç janë ambasadat tona në Bernë e Gjenevë.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë mendimet e redaksisë.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar Për vitin aktual, SBB pret një fitim që ka të ngjarë të jetë në të njëjtin...
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave